Monday, December 16, 2019

PAN BRIOCHE sipas Ejonës

Ketë vit nuk do ju sjell receta panetonesh se i keni dy receta në blog nga vitet e kaluara dhe të dyja recetat janë për panetone që nuk kanë nevojë domosdoshmërisht për pajisjen e rrahjes së brumit. Në këtë sezon festash do ju sjell Pan Brioche të Ejonës, me të cilën inagurova mikser që më dhuroi Delimano. Ejona ka blog-un e saj si unë, Mandarina ku do gjeni receta fantastike, sidomos veganët dhe vegjetarianët 😍🤗. Ejona nuk e ha mishin 😎.
Pan Briosh të Ejonës e kisha provuar që nga koha kur të dyja punonim në të njëjtën ndërmarrje 😋 dhe kisha vendosur ta bëja kur unë të bëhesha me mikserin tim. Ejona më kishtë këshilluar që kjo recetë e një mikut të saj francez është delikate dhe duhet punuar me pajisjen e duhur. Ndaj unë nuk ju këshilloj ta bëni me dorë nëse nuk keni pajisjen e punimit të brumit. Nëse shpesh herë unë i modifikoj recetat bazë, nga kjo recetë nuk kam lëvizur asnjë grimë sepse nuk mund të futësh duart në një recetë autentike franceze 😍.
Në postim do hedh dhe foto të miat që i kam bërë nga qejfi pajisjes së dhuruar nga Delimano, ndaj durim hahah.

Përbërësit:
4 kupa miell, idealisht miell Manitoba
4 vezë
250 g gjalp
1 bustinë maja
1/4 kupë qumësht i vakët
1/3 kupë sheqer 
1 lugë çaji kripë
½ majë lugë erëza të përziera masala (opsionale)
1 e verdhë veze për të lyer brioshin para pjekjes





Përgatitja

Tek qumështi i vakët shtoni majanë dhe e lini atë të aktivizohet. Më pas tek roboti kuzhinës shtoni gjithë përbërësit e tjerë veç gjalpit. Trazoni brumin për 10-15 minuta pa ndërprerje derisa brumi të filloj e të shkëputet nga anët e enës së inoksit.

Ky është momenti ku pjesë pjesë shtoni gjalpin në temperaturë ambjenti. Kur të shihni që nga rrahja e brumit 2-3 minuta, gjalpi është përthithur nga brumi, shtoni pjesën tjetër derisa të mbaroni sasinë e gjalpit.



Mos u ngatërroni nga prania e dy masave të brumit se nga qejfi gatova dy Pan Brioche 😋🤩
E vendosni brumin në një enë të thellë dhe mbulojeni me qese kuzhine, në një vend të ngrohtë (brenda sobës e fus unë), për rreth 2 orë sa të arrij 2-fishin e volumit.
Pasi brumi të jetë dyfishuar, punojeni me dorë për 2 minuta dhe mbulojeni sërish me qese kuzhine e lëreni të pushojë në frigorifer përgjatë gjithë natës.
Ditën tjetër, nxirreni nga frigoriferi, ndajeni në topa të vegjël ose jepni formë gërsheti dhe lëreni të vijë në temperaturë ambienti për rreth 2 orë, mbuluar përsëri me qese kuzhine.

Lyejeni sipërfaqen e brumit të brioshit me të verdhë veze dhe piqeni në furrë të parangrohur në 200 gradë për rreth 10 minuta, pastaj uleni temperaturën në 180 gradë Celsius dhe lëreni të piqet edhe për 20-25 minuta  të tjerë, ose deri sa të jetë pjekur plotësisht. Sipërfaqja duhet të jetë e pjekur shumë mirë.
Këshillë: nëse shihni se gjatë kohës së pjekjes sipërfaqja skuqet shumë për shkak të vezës, mbulojeni sipërfaqen me letër alumini dhe lëreni kështu deri në pjekjen e plotë të bukës.

Lëreni Pan Brioche të ftohet tërësisht përpara sesa “ta shqyeni”, pardon...ta hani me elagancë si francezët hahaha.
Unë vdes për aromë buke, por kur kjo bukë është dhe recetë franceze nepsi im mbaron kur mbaron dhe thërrimja e fundit e bukës 😋😋. Ju bëftë mirë.❤❤🙏🙏









Po ju postoj dhe ca foto gjatë regjistrimit të dy videove që bëra në IGTV në Instagram (kliko fjalën për videon). Fotot janë për tu argëtuar 🤪











SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig