Kjo recetë të cilën ma keni kërkuar shumë prej jush, besoj do jetë dhe e
fundit për 2019, një vit i cili në aspektin profesional, familjar, të miqësive
dhe te ndjekësve ka qenë i mbarë. Vasilopita (ëmbëlsira që mban dhe emrin e
babit tim) ka qënë receta me të cilën kam hapur blogun në 8 Janar 2019 dhe Liko
Portokalli një nga gatimet më tradionale dhe të dashura të stinës mbyll këtë
vit. Mbyllje me ëmbëlsi dhe me produktet e bahçes, likoja e portokallit është
një “must“ në shtëpi. Ndonëse sot nuk qerasim më si dikur, kjo liko është ëmbëlsirë
më vete në çdo kohë. Siç e kam theksuar në recetën Reçel Portokalli (kliko),
kur të përgatisni dhe likon, lëkurën që do gërryeni mos e çoni dëm, por kthejeni
në një supër esencë, të cilën mund ta përdorni gjatë gjithë vitit në
përgatitje keku dhe biskota me shije portokalle. Po vijoj me recetën se në këtë
sezon të ngarkuar nuk kemi shumë kohë për lexime.
Përbërësit:
2 kg portokalle
Për shërbetin
1 kg portokall i pastruar nga lëngu dhe farat, i shkuar në varg i kulluar
1 kg sheqer
700 ml ujë
Përgatitja
Portokallet i lajmë dhe me një rende të imët i heqim cipën sipër. Lëkurën e
përfituar e bëjmë esencë sipas shpjegimit këtu.
Më pas portokallet i ndajmë në 4 copa dhe me një gërshërë gatimi presim
fijet e bardha dhe shtrydhim lëngun dhe farat nëse ka.
Siç e kërkon dhe tradicionalja me një gjëlpërë ku kemi shkruar pe, fillojmë
i mbërthejmë portokallet si varg, duke i lidhur fundet e tyre. Kjo mënyrë ndihmon
që likoja portokallit të ruajë formën e bukur të palosjes në servirje. Vargjet i
vendosim në një tas me ujë dhe e lëmë të paktën 1 ditë të plotë duke e ndërruar
ujin disa herë gjatë ditës. Kjo do ndihmojë në nxjerjen e hidhërimës që ka lëkura.
Pas 24 orësh vargjet i ziejmë 2 apo 3 herë në varësi të
hidhërimit që ka lëkura vetëm me ujë, 5 minuta nga pika e vlimit duke e derdhur
ujin dhe rimbushur përsëri për zierjen e dytë. Më pasi vendosim vargjet në një
kullesë dhe i lëmë të kullojnë për të paktën 1 orë.
Pasi portokallet kanë kulluar i peshojmë ato. Unë do ju jap masat për 1 kg
portokallë të kulluar. Ju më pas rrisni ose zvogëloni sasinë e sheqerit sipas
peshës së portokalleve tuaja. Për 1 kg portokalle të kulluar shtojmë 1 kg
sheqer dhe 700 ml ujë. I trazojmë dhe i vendosim për të zjerë pa kapak, në
zjarr të mesëm të avashtë, derisa lëngu i likos të lidhet duke e provuar në një
pjatë. Hedh pak lëng nga likoja dhe e ndan me lugë mes për mes. Nëse të dy anët
afrohen me ngadalë pranë njtj likoja është bërë gati (pyesni mamatë ose gjyshet
tuaja për këtë teknikë, ato do më kuptojnë shumë mirë J). Vendoseni likon të nxehtë nëpër vazo dhe i
ktheni ato me kokë poshtë ose bëni proçesin e sterilizimit duke u orientuar këtu.
Nga mot Gëzuar dhe qoftë 2020 një vit i bekuar për të gjithë shqiptarët. Ju dua
No comments
Post a Comment