Dy herë e kam bërë gjithsej këtë gliko. Herën e parë para 3 vjetësh,
herën e dytë tani. Nuk mbaj mend sesi e bëra herën e parë, ashtu sikundër nuk
mbaj mend të më jenë dashur 4-5 ditë derisa glikoja të konsiderohej e përfunduar 😊. Kjo gliko përgatitet me fikun e pabërë ende. Mos më pyesni se cili fik, i
bardhë apo i zi se nuk ju ndihmoj dot. Shkoni tek nënat që ju sjellin gjethet për
japrakë, bëni kërkesën dhe e dinë ato vet çfarë duhet t’ju sjellin.
Meqënëse e kisha ndarë mendjen ta bëja përsëri këtë vit, pak për neps
e pak për blog, fillova të pyesja vërdallë për mënyrën e përgatitjes. E fillova
me Anën shoqen time e cila as nuk mbante mend të ishte vet ajo që mi kishte
blerë fiqtë 3 vjet më parë apo të më kishte mësuar recetën 🤔. Pyeta në punë,
shoqe jashtë pune, shumë versione dëgjova dhe shumë mu komplikua mënyra që
duhet të zgjidhja për të bërë glikon. E përbashkëta e të gjitha recetave ishte e
çpuara kokërr më kokërr e fikut dhe futja në gëlqere. Pjesa tjetër është dëgjo
shumë dhe bëj siç di vet 🙃. Stili Bonbon mori komplimente nga mami Lika dhe
nga mami Afro në Sarandë (një vazo udhëtoi
drejt Sarandës), kjo e fundit specifikisht tha “Gliko fiku siç bënte
vjehrra ime, nuk kam provuar ndonjëherë deri më sot, ama glikoja e Bonbon është
e dyta pas asaj të vjehrrës time nga gjithë c’kam provuar 🤗. Mami Lika më kërkoi
një vazo për vete dhe një vazo tjetër do udhëtoj muajin tjetër për në Kanada,
meqë Juli nuk e kishte idenë e kësaj glikoje ☺. Pjesa tjetër do mbetet në
familje 🙃. Në njohurinë time kjo gliko mund të bëhet vetëm me frutin e fikut në
muajin maj, ndaj keni dhe ca ditë kohë për ta provuar, përndryshe prisni majin
e vitit tjetër.
Përbërësit:
1 e ½ kg fiq
3 kg sheqer
Gëlqere
1 kokërr limoni
Përgatitja:
Meqë përgatitja e glikosë kërkoi disa ditë ndonjë foto mund dhe të më
ketë shpëtuar pa bërë, por do të mundohem t’ja u shpjegoj.
Fillimisht
filloni proçesin e çpimit të çdo kokrre fiku. Më pas, i vendosim në një tas të
thellë ku kemi hedhur një apo dy grushta gëlqere. Lëmë kështu për të paktën 4
orë.Në një tenxhere të thellë
hedhim fiqtë, i mbulojmë me ujë dhe i lëmë të ziejnë për të paktën 40 minuta. I
kullojmë dhe lëmë mënjanë.
Deri këtu çdo gjë shkoi “smoothly”, pa probleme dhe surpriza :).
Surpriza ishte sasia e nevojshme e shërbetit që duhet të përgatisja për
të zierë fiqtë. Kisha dëgjuar versione me sasi normale sheqeri, kisha dëgjuar
dhe versionin 1 kg sheqer për 25 kokrra fiku (e frikshme) 🤔, kisha dëgjuar dhe
që zierja e fikut me sheqerin mund të bëhet me 3 seanca (nga një çdo ditë) derisa
fiku të thith mirë sheqerin dhe të krijohet ajo pamja e bukur si xhelatinë e
frutit. Ky ishte rasti im, ndaj nuk u tremba kur më duhej ta vija ne jetë si
proçes ☺.
Ata që nuk e kanë provuar ndonjëherë glikon e fikut, nuk mund ta dinë
aromën që lëshon gjatë përgatitjes që të shoqëron dhe kur e ha glikon,
fantastike.
Si fillim hodha 2 kg sheqer & 1,2 l ujë, një kokër limoni të ndarë
në mes, fiqtë dhe e vura për të zjerë bashkë, që pa u tretur mirë sheqeri.
Shënim: Masa e saktë e shërbetit është 800ml ujë për
1 kg sheqer, por kokrrat e fikut nga që janë të çpuara janë të mbushura plot me ujë dhe në këtë mënyrë plotësojnë
diferencën në ujë të formulës së saktë.
E ziejmë glikon për ndonjë orë. Dhe e provojmë glikon ditën tjetër për
të kuptuar rezultatin. Të nesërmen vura re që kokrra e fikut nuk kishte kthyer
ende si një topth “xhelatine” dhe e vendosa përsëri për 30 apo 40 minuta për të
zierë.
Përsëri, prisni derisa të ftohet tërësisht përpara sesa ta provoni
glikonë. Më në fund kokra e fikut kishte marrë pamjen dhe shijen që duhej, këtë
e ndien kur e kafshon kokrrën, por sherbeti kishte shteruar ose thithur i tëri 😊.
Në këtë pikë të nesërmen që isha përsëri me frymëzim vura sherbetin e
ri, një kg sheqer me 800 ml ujë, të cilin e lash të ziejë 15 minuta nga pika e
vlimit. Ndërkohë bëra gati vazot ku hodha kokrrat e fikut, i mbusha vazot me
shërbetin dhe i vura në proçes sterilizimi për t’i ruajtur për një kohë të gjatë.
Këtë proçes e bëri mami Lika meqë ishte “in town” :).
Proçesi i sterilizimit:
Vazot e mbyllura mirë i vendosim në një enë (tepsi në këtë rast që mua
mi zuri të gjitha) të cilën e mbushim me ujë. E vendosim enën në zjarr dhe e lëmë
15-20 minuta nga pika e vlimit. Më pas e fikim zjarrin dhe nuk i nxjerrim
vazot nga ena, derisa uji të vaket.
Këtu mbaron dhe proçesi i sterilizmit që do ta ruajë glikon të freskët për disa vite. Ju bëftë mirë.
No comments
Post a Comment