Sunday, September 23, 2018

Gjellë me bizele

Nuk është në traditën e familjeve tona (mami Lika dhe unë) që e diela të kaloj me një pjatë gjellë që konsiderohet si gjellë për ditët e javës.
Sot më kishte shkuar mendja keq për gjellë me bizele dhe e dielë apo jo do ta gatuaja patjetër. Nuk do e kalojmë të dielën vetëm me gjellë me bizele jo, keku me karrotë (linku këtu) do na ëmbëlsojë ditën për të voglin tim Luisin, i cili sot do jetë aq i uritur pas 2 ndeshjeve futbolli me Partizanin dhe Korçën.
Në përgjithësi unë gjellën me bizele nuk e gatuaj me domate, por me spec të kuq dhe salcë domatesh të koncentruar. Nuk i shtoj as patate (megjithë këmbënguljen e Bledit). Të vetmet perime që i shtoj janë karrota e grirë, një tufë qepë të njoma dhe një tufë kopër, të cilat ja shtoj kur gjella ka mbaruar tërësisht dhe aromat nuk vriten nga gatimi i tepërt. Mishi mund të jetë ose gic ose viç, rëndësi ka të jetë tule 😍. Ajo që preferoj tek gjella me bizele është që mishin mos t'ja vendos me thela/racione, por me copa të vogla në mënyrë që Luisi im tekanjoz ndaj mishit ta hajë "padashje" fshehur nën kokrrat e bizeleve 😍. Receta më poshtë 🤗.

Përbërësit për 4 persona.
2 qepë mesatare
400 gr mish tule në copa
800 gr bizele kokërr
2-3 karrota
1 tufë qepë të njoma
1 tufë kopër
1 lugë çaji salcë domatesh
1/2 lugë çaji spec i kuq
Vaj për gatim
Kripë

Përgatitja:
Grijmë qepën e thatë dhe e hedhim në tenxheren me presion ku do gatuajmë gjellën. E lëmë qepën të kaurdiset për 5 minuta dhe shtojmë mishin. Vendosim kapakun e tenxheres pa e mbyllur dhe e lëmë mishin dhe qepë të gatuhen për rreth 30 minuta sa qepa të tretet dhe të ketë tharë ujin e vet.
Shtojmë specin e kuq të parin dhe më pas salcën. Trazojmë dhe hedhim bizelet me karrotën.





Përpara sesa të shtojmë ujin e lëmë bizelen për 15 minuta të vritet në zjarr të avashtë. Më pas shtojmë një gotë ujë, kripë dhe e vendosim gjellën të ziejë me presion.

Kur gjella është gati, shtojmë qepën e njomë të grirë dhe e lëmë të ziejë 4 -5 minuta pa kapak. 



 Fikim zjarrin dhe shtojmë menjëherë koprën. 
E lëmë gjellën në qetësi për 10 minuta dhe më pas servirim ose me sallatë jeshile ose me kos të freskët siç e shoqërova unë sot.






Ju bëftë mirë 🤗❤
SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig