Kjo është receta ime e qofteve, sigurisht e mësuar nga mami Lika. Receta
e qofteve hyn tek ato ushqime tradicionale që trashëgohen brenda familjes,
ndaj dhe une kur i gatuaj e marr
mamin në telefon për mos të harruar ndonjë erëz 😍. Sa herë që mami gatuante qoftet
kur ishim të vegjël, gjysmat i bënte me lëng dhe pjesën tjetër na e linte ne fëmijëve
ti hanim ashtu të thata. Duke u rritur filluan të më pëlqejnë dhe mua qoftet me
lëng dhe këtë dimër vendosa t’ja u provoj dhe fëmijëve të mi.
E kam gatuar disa herë këtë vit si recetë sepse çunave u pëlqen shumë, ndaj "Qoftet me lëng" është një drekë e sigurtë për të katërt.
Kjo pjatë shoqërohet mjaft mirë me kos. Në kujtimet e mija të vegjëlisë
mami e hidhte kosin e bërë kremoz nëpër tasa individualë dhe secili hidhte lugë-lugë mbi lëng sipas dëshirës. Provojeni dhe ju ta shoqëroni me kos këtë pjatë.
Përbërësit
500 gr mish i grirë
1 kokër qepë
1 tufë majdanos
4-5 thelpinj hudhër
1 kokër vezë
1 majë luge sodë buke
½ lugë kafe spec i kuq
Rigon, kripë, piper i zi
2-3 lugë gjelle galetë (thërrime buke e pjekur)
Vaj për skuqje
Për lëngun
3 – 4 lugë gjelle miell
2 thelpinj hudhër
4-5 lugë vaj për gatim
1 majë luge spec i kuq
Përgatitja
Në
një grirës elektrik hedhim qepën, hudhrat dhe majdanosin.
Mbi një pjatancë shtrojmë mishin e grirë. Sekreti qofteve të buta
sipas mami likës është që kur blini mishin e grirë, ti thoni kasapit nëse do
merrni për shembull 500 gr, 250 gr të jetë mish viçi dhe 250 mish gici. Qoftet bëhën me të
buta në këtë mënyrë.
Sheshojmë pjesën e mishit në mënyrë që mbi to të shtojmë përzjerjen me
qepë, majdanos dhe hudhër. Shtojmë me radhë kripën, piperin e zi, specin e kuq, rigonin, sodën dhe një kokër
vezë. Shtojmë dhe galetën, por nëse nuk keni zbusni një fetë bukë të zezë me
pak ujë, shtrydheni nga uji i tepërt dhe thërrmojeni mbi masën e qofteve. Punojmë
me duar duke e mbledhur si brumë dhe duke siguruar përhapje të njëtrajtshme të
gjithë përbërësve. Mbledhim me qese gatimi dhe e lëmë në qetësi për të paktën
40 minuta.
U japim formë qofteve sipas dëshirës. Skuqim në vajë të ngrohur më parë,
në flakë mesatare/të ulët për 4-5 minuta nga secila anë.
Në një tenxhere hedhim 4-5 lugë vaj, shtojmë 2 thelpinj hudhër, 3 lugë gjelle miell dhe kaurdisim për 2-3
minuta. Përpara se ti hedhim ujë, shtojmë një të kapur spec të kuq. Mbushim me
ujë, rregullojmë me kripë dhe e lëmë të ziej. Kur lëngu fillon të ziejë, hedhim
brenda qoftet e skuqura dhe i lëmë bashkë në zjarr për të paktën 5 minuta.
Servirim të ngrohta. Ju bëftë mirë.
2 comments
A keni provuar ndonjëherë të bëni recetën e kekut që është prapa
paketimit të “miellit që fryhet vet”? Mielli që fryhet vet, ka shumë vite që ka hyrë
në përdorimin tonë, por unë e blej vetëm kur ndaj mendjen të bëj këtë recetë.
Kjo recetë duhet bërë fiks me ato përbërës dhe sasi që thuhen në
paketim. Maksimumi që ndryshoj unë këtu është aroma (herë portokall, limon,
vanilje, esencë bajamesh etj).
Përgatiteni masën e kekut në një tas më të madh sesa tasi i zakonshëm,
nëse doni që masa mos t’ju derdhet kur e përzjeni 😍.
Ky kek nuk zhgënjen asnjëherë. Del mafishe, i shkrifët, fryhet
realisht shumë aq sa copa e kekut duhet të rri shtrirë në pjatë që të ruaj
ekuilibrin 😍.
Mund të them pa frikë se shija dhe përbërja e këtij keku, ngjan shumë me panetonen Pandora.
Kujdes: Prisni derisa keku të ftohet plotësisht përpara
sesa ta ktheni përmbys nga forma, nëse nuk doni që keku t’ju shkërmoqet i tëri
mbi pjatancën e servirjes 😍.
Përbërësit:
500 gr miell që fryhet vet
250 gr gjalpë
250 gr sheqer
4-5 vezë
260 ml qumësht
Vanilje ose lëkurë portokalli
Përgatitja
Rrahim
gjalpin me sheqerin, duke shtuar vezët një nga një për rreth 3 minuta.
Shtojmë
qumështin dhe pak nga pak sasinë e miellit. Miksojmë dhe pasi masa të jetë bërë
e njëtrajtshme grijmë sipër saj lëkurë portokalli.
Lyejmë
formën e kekut me gjalp, hedhim masën dhe sheshojmë sipërfaqen me një lugë. E pjekim në 180 gradë, në furrë të nxehur më parë, për 1 orë.
Lërë
të ftohet të paktën për 20 minuta përpara se ta kthesh në pjatancën e
servirjes. Servirni dhe ju bëftë mirë.
Kjo recetë i dedikohet shoqes time Ledi (Enkelejda) e cila jeton në
Australi dhe lexon çdo gjë që postoj :). Aty ku jeton Ledi, nuk është e kollajtë
të gjesh gjizë Shqipërie, ndaj dhe Ledi më kërkoi të postoja recetën e byrekut
me djathë. Unë e bëra sot byrekun dhe përdora produktet e bulmetit që kisha në
frigorifer, por duke qenë se nuk kisha djathë mjaftueshëm për ta bërë gjithë
byrekun i shtova edhe gjizë pa kripë. Ledi, për të bërë zemrën e këtij byreku do përdorësh
gjithë përbërësit që unë do listoj dhe meqë nuk ke gjizë, do i shtosh 250 gr
djathë të bardhë, të cilin do e thërrmosh.
Sot vendosa që byrekun ta shtroj si dredhanik, të lodh dhe të ha kohë
më shumë, por kalamajtë e kanë më qejf kështu. Shumë receta byreku ju kam
prezantuar këtë javë, ndaj do bëjmë pak pushim pas këtij postimi :))
Përbërësit
500 gr miell
4 vezë
150 gr gjizë pa kripë
150 gr djath dhie
1 lugë gjelle miell
100 ml kos
2 lugë gjelle gjalp të shkrirë
Vaj, kripë
Përgatitja
Zëmë brumin e byrekut dhe lëmë mënjanë për të paktën gjysëm ore, pasi
e mbështjellim me qese gatimi. Në një tas rrahim vezët me kripë, shtojmë përbërësit
e tjerë me radhë, djathin, gjizën, kosin dhe një lugë gjelle me miell. Rregullojmë
me kripë.
Meqë më gjendej, brenda kësaj harxhe unë thërrmova dhe një lugë gjalp dele.
Në një tas hedhim dy lugë gjelle gjalp të shkrirë, e zbusim në mikrovalë, shtojmë vajin dhe e lëmë mënjanë për të lyer petët.
Lyejmë fundin e tepsisë ku do shtrojmë byrekun. Hapim petët një nga një.
Pikojmë me yndyrë gjysmën e petës si në foto. Palosim gjysmën tjetër mbi të. Hedhim harxhën, palosim anët anësore,
rrotullojmë. Përpara
se ta shtrojmë në tepsi, e përdredhim petën e mbushur.
Kështu
vazhdojmë me çdo petë. Pasi e kemi shtruar gjithë byrekun, lyejme sipër me
yndyrë dhe e fusim për të pjekur në 200 gradë derisa të marrë ngjyrë të artë.
Ju
bëftë mirë.
Subscribe to:
Posts (Atom)























































