Saturday, October 7, 2017

Kek i thjeshtë i mami Likës

Nëse doni një aromë dhe shije të njohur, provoni kekun e mamit, atë që keni ngrënë gjatë gjithë fëmijërisë tuaj ku nuk kishte as pluhur pjekës, as copa çokollate 🤗.
Më besoni kur ju them që ndonëse ky kek ka përbërës shumë të thjeshtë, në fillimet e mija mua më ka dështuar në pjekje disa herë 😀. Ky kek do mbi 40 minuta të piqet dhe duhet të siguroheni mirë që ka kulluar më një “toothpick”. Tashmë ja kam marrë dorës dhe të gjithë përbërësit e lëngshëm apo pluhur i hedh me sy. Këtu do mundohem t’i përafroj sasitë. Keku i mamit ka një të mirë shumë të madhe se pranon çdo lloj frute të freskët, të thatë apo aroma brenda. Unë e provova me të pandashmen esencën e portokallit Bonbon, lajthi, arra dhe rrush të thatë të stinës.

Përbërësit:
50 gr gjalp + 50 ml vaj vegjetal
150 gr sheqer
4 vezë
120 ml kos ose sa masa e një kosi frutash
250-300 gr miell
1 lugë çaji e prerë sodë buke
2 lugë gjelle lëkura portokalli
Lajthi, arra, rrush të thatë sipas dëshirës

Përgatitja:
Ky kek shkon shumë me vezë fshati, por kur nuk keni të tilla në shtëpi vezët “koko ve”, mund t’ju bëjnë punë.
Shkrijmë gjalpin, shtojmë vajin dhe sheqerin dhe i rrahim për 2 minuta. Hedhim vezët një nga një, kosin, miellin bashke me sodën e bukës. Kur përbërësit të jenë njëtrajtësuar në masën e brumit të kekut, filloni hidhni aromat dhe frutat që dëshironi. Unë shtova përbërësit që kam përmendur më sipër meqë sapo jam furnizuar për dimrin. 

Tavën ose visheni me letër gatimi ose lyheni me gjalp. Futeni kekun në furrë dhe piqeni për 40-50 minuta derisa thika të dalë e pastër.
Pluhuroseni kekun sipër me pluhur sheqeri dhe të nesërmen në mëngjës shkoni të pini një kafe tek Le Bon me kekun e mamit 😀. Ju bëftë mirë.



  








SHARE:

1 comment

  1. Bona si me porosi ma ke nxjerr kete recete... Mami Lika ka gatuar gjithmone shkelqyshem

    ReplyDelete

Blogger Template Created by pipdig