Një nikoqire e mirë, di gjithmonë të sajoj dhe mos të çoj dëm gjëra të mbetura në frigorifer. Kjo nuk ishte kompliment ndaj vetes 😍më tepër sesa me kohë mëson të krijosh një vakt të mirë vetëm me ato përbërës që të gjenden në shtëpi. Na ndodh shpesh ne mamave që kur blejmë domatë për gjellë, të blejmë më shumë sesa na nevojiten për një gatim. Domatet e mbetura që ndodh të jenë pak më të buta dhe si rrjedhojë edhe të shtypura, ose do prishen fare në ditët në vijim, ose do i pastrojmë, grijmë, vendosim në një tas e më pas në pjesën e ngrirjes në frigorifer. Mua më ndodh më shpesh e para ☺, por kur ndodh e dyta, pak më rallë, nuk ka më bukur, sesa të kujtohesh që disa domate të pastruara e gati për tu kthyer në ndonjë salcë për pasta apo byrek me qepë e domate, të presin në frigorifer. E çfarë na pengon të bëjmë një byrek ku përbërësit shtesë janë vetëm qepa dhe mielli? Praktikisht asgjë, vetëm përtesa 😍. Por unë nuk do përtoj, duke konsideruar që domatet janë gati 😊.

Përbërësit
350-400 gr miell
1,2 kg domate
2-3 kokrra qepë mesatare
Vaj, kripë, rigon
Përgatitja
Zëmë brumin për byrek dhe e lëmë mënjanë. Grijmë qepën, e hedhim në një tenxhere ku kemi shtuar vaj dhe e lëmë ta kaurdiset për disa minuta në flakë mesatare, me kapak. Shtojmë gjithë sasinë e domateve tek qepa. Vendosim kapakun dhe e lëmë masën të ziejë derisa të lidhet, rreth gjysëm ore. Nëse do kisha ndonjë spec të kuq, do e grija hollë dhe do e shtoja tek domatja. Nuk kisha, nuk e shtova. Speci është opsional. 
Rregullojmë harxhën me kripë, piper dha pak rigon dhe fillojmë hapim petët e byrekut, siç ju ka mësuar mami Lika. Unë e bëra me dy zemra, 9 petë gjithsej, nga 3 petë për çdo ndarje. Dalloni sa e hollë del peta me metodën e mami Likës?





Pjekim në 220 gradë në fund të furrës. Siç mami Lika më ka mësuar, byrekun e kthejmë përmbys në një tepsi tjetër, në këtë mënyrë pjesa sipër e byrekut që është pak më e forta nga pjekja do zbutet. Dhe ja ku është. Tepsia ku e ktheva është pakëz më e vogël :), por nuk na prish ndonjë punë të madhe. Ju bëftë mirë.








Me servirjen e kësaj pjate do dukeni si shefa të vërtetë. Shkak që sot vij me këtë recetë u bë një kanaçe me "fagiolini fini", mashurka të holla jeshile “baby beans”, që im shoq i kishte blerë për fasule, sipas porosisë time. Unë e hap pa e vënë re etiketën dhe e dija që po mos ta përdorja në ndonjë sallatë, do e hidhja pas 2-3 ditësh në frigorifer. Por ja që të vjen në ndihmë "Tip Hero" me videot e tij dhe kanaçja me mashurka nuk shkon dëm 😍.
Patatet në recetë mund t'i gjeni kollaj në tregun e fruta perimeve.
Në shqip i kanë quajtur patate belge (sipas printimit në paketim), ndërsa në anglisht “yellow flesh potatoes”.
Një kg më kushtoi 287 lekë. Receta sipas Tip Hero, http://tiphero.com/honey-balsamic-sheet-pan-chicken/ (këtu gjeni videon) kishte dhe domate qershi, por çmimi i tyre sot ishte 500 lek/kg. Mund t'i kisha blerë nëse domatet qershi do kishin shijen kyç të pjatës. Siç do ta shihni dhe vet marinimi që i bëhet pulës, lëngu i të cilës i shtohet perimeve sipër, e zbeh fare prezencën e domateve në recetë, ndaj mua mu duk shpenzim i tepërt 😍. Dhe meqë tani dola sikur jam gjirokastrite, po ju tregoj nje barcaletë që Ilir B. e ndau me ne gjatë "sushi night".

Pyesin një gjirokastritë si ja bënin me të ftohtin e madh që kaluam.
- Po ja tha mblidhemi të gjithë rreth sobës.
Po kur të ftohet akoma dhe më shumë e pyesin?
- Po atëherë do e ndezim sobën. 😍😍😍
Me shumë respekt ndaj gjirokastritëve se i dua shumë, kam vjehrrën nga Gjirokastra 😍.  

Ndiqni recetën më poshtë:

Përbërësit
1 kg patate belge
1 kanaçe me mashurka jeshile të holla “baby beans”
4 gjokse pule
3 lugë vaj ulliri
Kripë, pipër

Për marinadën
40 ml uthull balsamik
1 lugë gjelle mjalt
2 lugë gjelle vaj ulliri
½ lugë çaji piper i kuq
½ luge çaji trumzë e tharë
½ lugë çaji rozmarinë e tharë
½ luge çaji pluhur hudhër dhe 1 thelpi hudhër e shtypur (me dorë)
Kripë, piper

Përgatitja
Lajmë mirë patatet, i presim në copa, pa i qëruar. I shtojmë kripë, pipër, vaj ulliri dhe i vëmë për të pjekur në 180 gradë, në mes të furrës për 30 minuta.

Ndërkohë mishin e pulës e vendosim në një nga qeset që mbyllen me zinxhir, Fino.
Përgatisim marinadën. Në një tas hedhim gjithë përbërësit që kam listuar dhe trazojmë përpara se ta hedhim tek pula. E shtojmë marinimin tek pula, përziejmë mirë, mbyllim qesen dhe e lëmë për 30 minuta në marinim. 






Heqim patatet nga furra, hedhim mbi to mashurkat, vendosim pulën e marinuar dhe lëngun në qese ja shtojmë përsipër tavës. Pjekim për një 30 minutësh tjetër. 


Tava është gati. Provojeni dhe do më besoni për aromën që do shpërndahet në kuzhinën tuaj. Një pjatë si në restorant, me ngjyra, shije dhe një kosto të përballueshme për katër persona. Ju bëftë mirë.






 
Blogger Template Created by pipdig