Ndërsa navigoja dje në internet, më del përpara “Apple and blackberry
pie” dhe meqë më kishin mbetur ende në shtëpi ca boronica “blueberry” thashë ç‘bëri
boronica e ç‘bëri manaferra e zezë ☺, shija njëlloj duhet të jetë. Për të
gjithë ju blackberry është manaferra e zeza që mblidhnim ferrave në fshat, kur
ishim të vegjël 😍, Kështu që sapo mbërrita në shtëpi nuk e diskutoj fare ëmbëlsirën
e radhës, një krostatë e mbushur me mollë, boronicë dhe kanellë nuk shkon asnjëherë
dëm. Për hir të së vërtetës dhe vet përgatitja e brumit të “pie” krostatës
ishte shumë e kollajtë, brumi përgatitej për dy minuta dhe u hap shumë kollaj në
tavolinën e punës. Siç edhe e përmend shpesh, e vetmja ”angari” është qërimi i
mollëve dhe grirja e tyrë. Ç‘do gjë tjetër më rezultoi shumë e kollajtë. Si
asnjëherë tjetër kjo ëmbëlsirë u gatua dhe poq në darkë, por fëmijët e hëngrën
në mëngjes, pasi ëmbëlsira duhet të ftohet komplet përpara se të pritet dhe reçeli
në brendësi të saj kërkon kohën e duhur të ftohjes. Ndaj me pak durim bëm si
bëm deri sot në mëngjes, për të shijuar byrekun tonë më mollë dhe boronicë.
Ngjyra, shija, aroma e këtij byreku janë fantastike. Ndaj nëse ju bie në dorë
një grusht manaferra apo një grusht boronica mos hezitoni ta provoni, për një
version ndryshe të të famshmes “Apple Pie” – byrekut me mollë.
Përbërësit për brumin:
2 kupa me miell
1 lugë çaji sheqer
1 lugë çaji kripë
1 lugë çaji kanellë
2/3 kupë me copa gjalpi të sapo dalë nga frigoriferi
8-9 lugë gjelle ujë të ftohtë ose më shumë
Përbërësit për mbushjen:
3 kokrra mollë të prerë në kubikë
1 kupë boronicë e freskët
½ kupë sheqer kaf
4 lugë çaji niseshte
1 lugë çaji kanellë
1 lugë çaji arrë moskat
Përgatitja:
Kjo është kupa që unë përdor për masë. Ka pak a shumë përmasat e një
filxhani çaji.
Në një tas hedhim gjithë përbërësit e brumit dhe fillojmë punojmë me
duar duke shtuar sasinë e ujit të ftohtë lugë lugë derisa masa e brumit të
lidhet. Brumi është gati sapo duart tuaja të dalin të pastra 🤗.
Ndajmë
brumin në dy copë. Hedhim miell në sipërfaqen e punës dhe më një okllai hapim
njërën copë të brumit në formë rrethore, pak më të madhe sesa tava ku do pjekim ëmbëlsirën.
E
vendosim shtresën e brumit mbi tavë, nuk ka nevojë të lyet fundi i tavës me
gjalpë. Rregullojmë anët e brumit, duke I ngjitur në buzët e tavës.
Ndërkohë në një tas tjetër fillojmë pastrojmë dhe grijmë mollët në
copa. Shtojmë gjithë përbërësit e mbushjes me radhë, përziejmë dhe mbushja është
gati.
Hedhim
mbushjen tek tava, hapim dhe petën tjetër, mbulojmë, mbyllim anët mirë. Furrën
e kemi ndezur më parë në 220 gradë. Veshim anët e brumit me letër alumini dhe e
lëmë ne furrën e nxehur në 220 gradë për 10 minuta.
Më
pas ulim temperaturën në 180 gradë, heqim letrën e aluminit dhe pjekim për
35-40 minuta të tjerë. Byreku është gati, por duhet ta ftohim tërësisht përpara
sesa ta presim.
Shtoni sipër sheqer pluhur dhe shijojeni. Ju bëftë mirë.
No comments
Post a Comment