Thursday, June 22, 2017

Torta me pjeshkë sipas Elonës së Redit


Këto dy javë kanë qenë intensive në përgatitjen e tortës me pjeshkë. Pjeshka sapo ka dalë, e ëmbël dhe aromatike sa duhet. Si fillim siç postova dhe në Instagram & faqen time në facebook ditë më parë, unë bëra tortën time me pjeshkë e cila ka krostatën tradicionale me gjalpë dhe kremin e pastiçerisë me miell e vezë. Por Elona e Redit më sfidoi me versionin e saj më të shëndetshëm të krostatës, vetëm me vaj dhe kremin e pastiçerisë me niseshte. Elona e Redit të cilën unë e thërras kështu, prej 13 vitesh ka hyrë në jetën time ditën që unë jam martuar 😍. Redi është gjysma tjetër e Elonës dhe unë si vajzë zakoni ☺ e kam regjistruar kështu numrin e saj në telefon dhe duke patur disa Elona në jetën time, Elona e Redit nuk mund të identifikohet më bukur sesa me emrin e dashurisë së saj. Elona ka jetuar shumë vite në Itali dhe e njeh mjaft mirë këtë kuzhinë, ndërkohë që nga duart e saj gatuhen çdo ditë lloj lloj recetash, të cilat megjithëse në kushte shtëpie serviren si në restorant. Elona e Redit dhe Rita e Andit janë dy mama, ashtu si unë vetëm me çuna 🤗, me të cilat unë nuk do stepesha ndaj asnjë projekt gatimi ✔.
Lona kishte preferuar të shtronte sipër kremit të pastiçerisë një shtresë kremi me pjeshkë, ndërsa unë i shtrova fruta të freskëta. Të dyja tortat u përlanë, por Bledi (gjysma ime) preferoi versionin e Elonës dhe meqë unë nuk lë rast pa kënaqur shijet e tij, sot dua të postoj versionin e Elonës.

Përbërësit për brumin:
1 vezë
1 filxhan kafeje me vaj vegjetal
1 filxhan kafeje me sheqer
½ bustinë pluhur pjekës për ëmbëlsira
Disa lugë ujë sipas nevojës për të lidhur brumin
2 kupa me miell

Përbërësit për kremin e pastiçerisë:
1 vezë e plotë
3 lugë gjelle niseshte
3 lugë gjelle me sheqer
500 ml qumësht
Vanilje

Përbërësit për kremin e pjeshkës:
2-3 kokrra pjeshkë
1/2 filxhan kafe ujë
2 lugë sheqer kafë

Përgatitja:

Hedhim të gjithë përbërësit e brumit në një enë, i përziejmë dhe brumi do mblidhet shumë shpejt si në foto.
Masa e filxhanit të vajit dhe sheqerit është kjo.
Masa e filxhanit të miellit është kjo.
Shtrojmë një letër për pjekje mbi tavolinën e punës. Vendosim mbi të brumin dhe e hapim me pecin e trashë. Kur brumi të ketë kaluar masën e tepsisë e kthejme me kujdes mbi tepsi duke puthitur anët. E çpojmë me pirun përpara se ta vëmë për të pjekur në 180 gradë, në mes të furrës derisa të marrë ngjjyrë të artë.

Në një tas qelqi rrahim vezën me niseshten dhe sheqerin, ndërkohë që në një tenxhere ngrohim qumështin. Qumështin e nxehur e hedhim tek tasi ku kemi rrahur vezën ngadalë duke përzier vazhdimisht. E rikthejmë masën në tenxhere. Shtojmë vanilje dhe duke e trazuar presim 2-3 minuta në zjarr sa masa të trashet. E lëmë masën e kremit mënjanë te ftohet duke i vendosur sipër qese gatimi që mos të krijoj cipë të trashë. Kremi i pastiçerisë është gati.

Qërojmë pjeshkët, ndajmë në copa dhe vendosim për 10-15 minuta në zjarr sa fruta të zbutet. Kalojmë masën në përzjerës elektrik dhe e bëjmë krem. Nëse masa ju duket e hollë, mund ta vini përsëri në zjarr për disa minuta.

Ndërkohë që kemi bërë gjithë këto përgatitje baza e tortës është pjekur dhe ftohur gati për tu kthyer në pjatancën e servirjes. Vendosim kremin e pastiçerisë sipër saj (të vakët, jo të nxehtë) dhe mbi të kremin e pjeshkës dhe këtë të ftohur ose të paktën të vakët.


Prisni tortën për servirje kur të paktën baza e tortës të jetë ftohur. Ju bëftë mirë. 






  



SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig