Sunday, September 10, 2017

Biskota të mbushura

Me fillimin e shtatorit dhe fillimin e shkollës fillon dhe sezoni i pjekjeve, ca për faktin që koha fillon e freskohet, ca se u duhet lënë diçka gati fëmijëve gjatë kohës së studimit, kohë që mami është ende në punë.
Le ta hapim sezonin me këto biskota të mbushura, tepër të thjeshta në përgatitje dhe në përbërës dhe shumë të buta. Me këto përmasa dalin mbi 50 copë biskota, të cilat nëse i ruani në një mbajtëse të posaçme do ju zgjasin për disa ditë.
Këto biskota mund të hyjnë dhe tek ushqimet jo shumë kalorike pasi përmbajnë vaj dhe niseshte, sasi jo shumë të lartë sheqeri dhe kakao të "hidhur"që i bën këto biskota aspak velëse 😊.

Përbërësit për brumin:
1 vezë
130 gr sheqer i bardhë
80 gr vaj luledielli
40 gr qumësht
1/2 bustinë pluhur pjekës
100 gr niseshte
300 gr miell

Përbërësit për mbushjen:
50 gr sheqer
1 vezë
40 gr vaj luledielli
50 gr arra/lajthi të thërrmuara
20 gr kakao e zezë ose e hidhur
100 gr miell 

Përgatitja:
Fillojmë me përgatitjen e brumit. Shtojmë gjithë përbërësit një nga një në një tas, përveç miellit. Me njërën dorë hedhim miellin tek tasi, me tjetrën përziejmë duke krijuar kështu masën e brumit. Treteni mirë niseshten me duar ndërsa bëni brumin. 


Kur brumi fillon e mblidhet e hedhim atë në tavolinën e punës duke shtuar miell derisa brumi nuk ngjitet më në duart tona. 

Fillojmë përgatisim mbushjen Në një tas tjetër shtojmë gjithë përbërësit, përveç miellit. Trazojmë me një lug, duke hedhur miellin avash avash. Masa është gati.

Arrat e qëruara dhe të copëtuara i kisha gati nga duart e arta të mamit të Ogertës. Ju që nuk keni një Ogerta në jetën tuaj, duhet t'i bëni vet këto gjëra 🤗.
Jemi gati për mbushjen e biskotave. Spërkasim tavolinën e punës me pak miell. Ndajmë masën e brumit në 4 copa, të cilat do i hapim një nga një në formë drejtkëndëshe me pecin e trashë. Në mes të petës do shtojmë lugë lugë masën me kakao.

Rrotullojmë anët e petës mbi mbushje.
Fillojmë e i presim biskotat tona.



I vendosim biskotat në tavën ku do i pjekim.


I pjekim biskotat në 180 gradë për 15-20 minuta, në mes të furrës.
 Biskotat janë gati. Ju bëftë mirë.


SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig