Friday, September 29, 2017

Supë me kungull

Ju ka ndodhur dhe juve si unë që një kungull nga këta të mëdhenjtë të cilën ja u ka sjellë mamaja (si kungull bio), t’ju rrijë me javë të tëra ndoshta dhe me muaj në shesh apo banak të kuzhinës derisa të kujtoheni për ta gatuar?
Ky është rasti im për çdo vit, ku përgjatë gjithë stinës së vjeshtës dhe dimrit do kem një apo dy kunguj të tillë të cilat nëse nuk do i bëj byrek do përfundojnë në ngrirje për tu përdorur për supa apo rizoto.
Sot vendosa ta pres kungullin dhe ta bëj një pjesë supë dhe pjesën tjetër byrek me kungull të ëmbël (hera e parë që do e gatuaj të tillë).

Nga vitet e kaluara nuk mbaja mend ndonjë recetë të saktë të supës me kungull, thjesht do e kem përdorur si perime shtesë në supat me perime. Këtë herë u futa në internet të gjeja ndonjë recetë supe vetëm me bazë kungulli dhe ndalova tek receta e parë që më doli në listim. E vetmja përshtatje që i bëra recetës është që kungullin nuk e poqa për ta bërë pure, e hodha direkt me dy perimet e tjera në kaurdisje dhe zierje. Që kungulli të zbutet nga pjekja duhet te paktën 1 orë e gjys apo 2 orë në furrë në 180 gradë. Energji dhe kohë e humbur kot 😊. Shijoni recetën e thjeshtë me vetëm 3 përbërës dhe shumë të shijshme. Rekomandohet për fëmijë të çdo moshe. Mund t’i shtoni lëng mishi sipas dëshirës. Unë nuk kisha lëng mishi ndaj përgatita një supë vegane 🤗.
Përbërësit:
300 gr kungull
½ qepë mesatare
3-4 thelpinj hudhër
Koriandër, kripë, piper
2 lugë gjelle gjalp & 2 lugë gjelle vaj ulliri

Përgatitja:
Qërojmë dhe presim kungullin në kubikë. Pastrojmë dhe grijmë në copa të mëdha qepën dhe hudhrat. Mos u shqetësoni për copat e mëdha pasi supa do bëhet e gjitha krem.
Në një tenxhere shtojmë gjalpin, vajin dhe perimet.
I lëmë të kaurdisen derisa të zbuten në zjarr të avashëm, rreth 20 minuta.



Më pas hedhim ujë aq sa perimet të mbulohen. Rregullojmë me kripë, piper dhe koriandër (këtë të fundit e gjeni në sektorin e erëzave në çdo supermarket).
E lëmë të ziejë për të paktën 35 minuta. Më pas ose e kalojmë në blender ose me pajisjen si në foto e bëjmë supën kremoze.

Servireni ashtu të ngrohtë. Ju bëftë mirë.





SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig