Friday, October 5, 2018

Torta e Ditëlindjes së Henrit

E quajta një projekt përgatitjen e kësaj torte sepse për hir te së vërtetës kur del nga shtëpia në 7 e gjysëm e futesh pas orës 6, i tillë është. Po të shtosh këtu që këtë javë përfshirë dhe sot një ditë para ditëlindjes, kur më duhet të filloj e ngre kështjellën, kam angazhime pas punës dhe ora 9 më ka mbledhur në shtëpi.
Të përgatisësh një “tortë lakuriqe” “naked cake” do t’ju hajë dy ditë të mira nëse punoni (duke hequr dorë nga çdo gatim tjetër se nuk do keni as kohë as fuqi 😃) dhe 1 ditë të plotë (24 orë) nëse jeni në shtëpi. Kjo sepse përgatitja e kremit të tortës kërkon të pushojë 12 orë në frigorifer. Ndërkohë dhe pandispanja kërkon kohën e saj të ftohjes plotësisht përpara sesa ta presim.
Nga u frymëzova për “tortën lakuriqe”? Si fillim këtë tortë e kam pare tek Krisi (Kikiliciouss), më pas nga Ida (Idas Passions në instagram), e cila më mrekulloi me buqetën e luleve vendosur sipër tortës. Pas Idës, Ada e (AddasAll) dhe në fund Nevi (Bake my Day Happy). Ada e postoi si recetë menjëherë pas ditëlindjes dhe ajo që më bëri që të zgjedh recetën e Adës ishte lloji kremit të kësaj torte, jo me gjalp, jo me mascarpone apo krem djathi, por me çokollatë të bardhë. Kremi quhet Namelaka. Më tundoi emri dhe vendosa të studioj recetën 🤗.
Unë do ju parashtroj dhe gjithë koston e përbërësve të kësaj torte dhe me aq lekë mund të blini një tortë të gatshme. Shumë prej jush mund të pyesin, po përse duhet të bëjmë një tortë që do dy ditë përgatitje dhe kushton të paktën 2 mijë lekë të rinj përbërës? Sepse siç thotë dhe Ada në dedikimin që më ka bërë tek libri i saj #tëdielave ”një lugë e mbushur plot me dashuri, është përbërësi sekret”. Kjo tortë me impenjimin që do kërkojë nga gjysma e pjesëtarëve të familjes (bashkëshorti që merr udhëzime për të blerë lëndën e parë dhe ruajtje sekreti i pjesëve të tortës derisa ta ngrejmë në këmbë, si dhe mama që mezi ç’pret t’ja tregojë birit të vet e ta shijojnë të gjithë) është dashuria më e ëmbël që mund ti servir tim biri për ditën e lindjes. Një gjë është e sigurt me “naked cake” dhe nëse dështoni në ndonjë element të përgatitjes, dekorimi dhe prezantimi i saj është një spektakël.
Mos u stepni nga lista e përbërësve dhe nga orari i gjatë i përgatitjes së kësaj torte. Nëse unë vet e para do e konceptoja si të vështirë nuk do e merrja mundimin ta bëja sepse nuk do kisha opsion të dytë në pikë të mëngjesit për t’i uruar ditëlindjen djalit.
Kjo tortë kërkon vetëm dashuri dhe besim që ti do e ngresh “kështjellën” tënde me shumë sukses dhe lexim të kujdeshëm të gjithë këshillave që do ju jap. Gjatë përgatitjes së saj, megjithëse jam mbështetur tek receta e Adës, kam nxjerr dhe unë mësimet e mia. Do i marrim hapat me radhë dhe me foto çdo hap. Unë nuk kam thuajse asnjë “tertip” profesional të zbukurimeve me krem të tortave, por kjo tortë nuk ka nevojë për to 😝.

Përbërësit për pandispanjën:
12 kokrra vezë
400 gr miell
400 gr sheqer
100 gr niseshte
Pakëz kripë
Vanilje
Kosto 400 lekë

Përgatitja
Nëse keni dy tava të njëjta në madhësi, bëheni përgatitjen e brumit të pandespanjës njëherësh. Nëse jo, ndani përbërësit përgjysëm (6 vezë, 200 gr miell e sheqer, 50 gr niseshte) dhe vijoni me përgatitjen e secilës bazë. Do ju lehtësonte shumë punën tava  mbërthyese “spring pan” sepse baza e pandespanjës del shumë kollaj pa e prishur atë.
Ndajmë me kujdes të bardhat nga të verdhat. Hedhim një majë luge kripë tek të bardhat dhe rrahim sa masa të bëhet shkumë. Me kujdes hedhim sheqerin pjesë pjesë e vijojmë rrahjen. Pastaj të verdhat e vezëve një nga një. Sitim 200 gr miell dhe 50 gr niseshte në një enë dhe me një spatula silikoni e bashkojmë miellin me vezën në sasi të vogla me lëvizje rrethore nga lart poshtë derisa mielli të përthithet i gjithë.
Masa është gati. Një letër për pjekje e vendosim poshtë bazës së tavës me mbërthim si në foto. Lyejmë anësoret e tavës me gjalp dhe i pluhurosim me miell. Vendoseni pandispanjën për tu pjekur në 170 gradë për rreth 30 minuta. Nxirreni nga furra dhe lëreni të ftohet.

















Përbërësit për kremin
500 gr çokollatë e bardhë
500 ml pana vegjetale të lëngshme
10 gr fletë xhelatine
300 ml qumësht
Kosto 1200 lekë

Përgatitja e kremit:
Të gjithë përbërësit më lart unë i bleva tek Neranxi. Pakoja me fletë xhelatine është 20 gr, përdorni gjysmën e saj (gjithsej 6 fletë).
Në një enë me ujë të ftohtë vendosim xhelatinën derisa ajo të zbutet. Nxehim qumështin, e theksoj e nxehim dhe pasi i shtojmë xhelatinën e zbutur (të cilës ja shtrydhim fort ujin e tepërt),  ja shtojmë sipër çokollatës së bardhë, në mënyrë që kjo e fundit të tretet plotësisht nga nxehtësia e qumështit. Shtojmë panën e lëngshme. Rrahim për 2 minuta me rrahëse elektrike që përbërësit të lidhen mirë. Vendosim sipër një qese gatimi dhe e lëmë në frigorifer për 12 orë.







Përbërësit për shërbetin:
3 kokrra limona
2 degë rozmarinë
200 gr sheqer
250 ml ujë
Kosto 150 lekë

Përgatitja e shërbetit:
Shtrydhim limonat dhe kullojmë lëngun e tyre. Shtojmë ujin, sheqerin dhe rozmarinën. I lëmë të ziejnë 10 minuta nga pika e vlimit.

Përbërësit për reçelin
200 gr fruta pylli (boronicë, mjedër)
2 lugë gjelle sheqer
Kosto 300 lek

Përgatitja për reçelin
Unë i kam boronicat dhe mjedrën në gjendje të ngrirë nga furnizimet e verës, por ju mund të blini një reçel të gatshëm me shije luleshtyrdhe ose fruta pylli. Ziejmë frutat në lëngun e tyre me sheqerin për rreth 5 minuta. Reçeli është gati.


Ndërtimi i kështjellës pas 12 orësh
Fillojmë ngritjen e tortës direkt në pjatancën e servirjes. Fillimisht nxjerrim kremin nga frigoriferi dhe e rrahim me rrahës elektrik për 10 minuta. Më pas futeni kremin përsëri në frigorifer dhe për 30 mintua të tjerë. Kremi do marrë trajtën e mousse.


Ndërkohë që kremi freskohet ndajmë pandespanjat me kujdes në dy disqe secilën. Vendosim në tavolinën e punës gati reçelin dhe shërbetin. Përpara se të vendosim diskun e parë mbi pjatancë, lyejmë fundin e pjatancës me pak krem, si për të ngjitur bazën e tortës pas pjatancës (unë e harrova farë këtë hap 😎).
Lugë-lugë njomeni bazën e tortës me shërbetin që përgatitët me limon e rozmarinë. Shtroni një shtresë kremi (një gisht të trashë) duke mos e lejuar kremin të shkojë deri në fund të diskut të pandespanjës. Kufizojeni kremin 1 gisht larg kufirit fundor. Do e  kuptoni qartë nga fotot se çfarë po ju them 😋. Mbi krem lugë-lugë hapni reçelin. Vijoni kështu me katin e dyte dhe të tretë. Mbi kremin dhe reçelin e katit të tretë, vendosni diskun e fundit. Zgjidhni atë shtresë të kekut që ka sa me pak hark nga pjekja e pandspanjës  në mënyrë që sipërfaqja e tortës të jetë sa më e sheshtë. Shtresën e fundit, atë në sipërfaqe vetëm sherbetoseni. Mos harroni shkopinjtë që do bëjnë të mundur që torta juaj me kate të jetë e qëndrueshme. Pritini shkopinjtë në lartësinë e tortës.















Kështu siç është torta e ngritur, pa e lyer ende me kremin sipër, vendoseni në frigorifer bashkë me kremin e mbetur për ndonjë orë. Nxirreni më pas dhe filloni “patinimin’ e tortës tuaj lakuriqe 😍. Êshtë shumë e kollajtë ta përhapësh kremin mbi sipërfaqe më anë të një thike me teh të gjatë. Ndërsa për anët, duke mos patur një spatula, unë i thirra nevojës së mesit të natës dhe mu përgjigj kështu: Merr një kapak  me anë të lëmuara (unë përdora një kapak si në foto), zhyte në krem dhe me lëvizje rrethore lyej anët e tortës. Nuk është perfeksioni vet, por ama është torta juaj e përkryer. Tani futeni tortën (pa dekorime) në frigorifer dhe shkoni të flini gjumë se shkoi ora 2 e natës. Dekorimet bëhen në mëngjes 🤩.




Çfarë zgjodha unë për dekorim në një treg ku s'gjen asgjë të bukur lehtësisht? Po të kisha vajzë do kisha vendosur mbi kek një tufë lulesh pa bishtat kuptohet 😝. Por duke patur vetëm djem dekori bëhet pak më i vështirë.
Ndaj më shkoi mendja të blej ca mafishe gati tek Le Bon Tirana (100 lekë) dhe me ca mjedër (250 lekë), thyerja e ngjyrave do ishte perfekte. Shijoni fotot që mua më gëzuan shpirtin dhe ju uroj të gjithëve të keni veç gëzime siç sjell dhe një ditë e tillë. Ju dua ❤




















SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig