Monday, October 22, 2018

Reçel gështenjash

Nëse menduat se nuk do e festoja dy vjetorin e blog-ut, keni menduar gabim 🤗. Thjesht isha në kërkim të një recete të paprovuar më parë. Për këtë më ndihmoi Ami e “Renamour, fait avec amour” (në instagram) teksa flisnim për ushqimet franceze më tregoi për reçelin e gështenjës. Nepsi im ngriti krye dhe vendosa që kjo recetë sa e veçantë aq dhe jo tipike për tavolinat tona të jetë gatimi festiv për 2 vjetorin e BonBon Taste. Ami më siguroi që ishte një recetë shumë e kollajtë, me vetëm 3 përbërës (gështenja, sheqer dhe vanilje) dhe ju kërkoj që mos ta nënvleftësoni këtë të fundit “vaniljen”. Sa më cilësore kjo e fundit aq më karakter merr reçeli. Ndër videot dhe recetat që pashë në internet ju siguroj që ju kam gjetur atë më të kollajtën. Por më duhet t’ju them se sado “easy” të jetë si recetë, ka një element vështirësie të pashmangshëm, të cilin do e zbulojmë bashkë me recetën. Pothuajse të gjitha recetat kishin opsionale “rumin” si liker që i shtohet reçelit. Me rum apo jo, nuk ka shumë rëndësi, rëndësi ka vanilja 😍. Ndiqni më poshtë recetën dhe si autore e vetme e këtij blogu ju falenderoj nga zemra që jeni përditë me mua nga çdo drejtim.❤❤❤

Përbërësit:
1 kg gështenja
Sheqer
Ujë
Vanilje (shkop vanilje, esencë vanilje)
Rum (opsional)

Përgatitja:
Lajmë gështenjat dhe i vendosim për të zierë. Pasi gështenjat janë zierë siç duhet, i kulloni. Ju kujtohet që ju përmenda një element vështirësie gjatë përgatitjes? Ky është momenti.
E kishit menduar ndonjëherë të uleshit “këmbëkryq” për rreth 40minuta e të qëronit gështenja të ziera në fillim sezoni dhe të mposhtni nepsin që mos ti hani vet, por të jeni të detyruar të mblidhni brumin e gështenjave në një enë? E di e di, as në ëndrat më të këqija hahaha 😆. Imagjinoni që ndërsa unë bëja mbrëmë këtë proçes kalamjtë e mi nuk mjaftoheshin me çfarë hanin vet, por zgjasnin duart dhe tek tuli që unë nxirja nga gështenjat e ziera. Ndaj leksioni numër 1 nëse do bëni këtë reçel sigurohuni që gjatë kësaj ore të jeni vetëm në shtëpi 🙃.
Besoj e vutë re që nuk kam përcaktuar asnjë masë tek përbërësit. Kjo sepse masat si të ujit dhe sheqerit këtu janë vëllimore. Që do të thotë në varësi të sa vëllim do të zërë në një enë ta caktuar brumi gështenjave, do të caktojmë sasinë e ujit dhe sheqerit me të njëjtën enë.





Atëherë, për një kupë brumë gështenja do ju duhet e njëjta kupë me ujë dhe gjysma e kësaj kupe me sheqer. Fotot do ja u demostrojnë më mirë.


Bashkoni të tre përbërësit më lartë në një tenxhere dhe lërini për t’i zierë për 30 minuta. Masa bëhet kremoze dhe nëse e doni edhe më të lëmuar kalojeni për 2-3 minuta me mikserin e dorës si në foto. Shtoni vaniljen dhe rumin nëse keni (2 lugë gjelle). Unë kisha ndaj ja shtova. Futeni në vazo ashtu siç është i nxehtë, puthiteni mirë kapakun dhe vazon kthejeni me kokë poshtë derisa reçeli të ftohet tërësisht. Në këtë mënyrë do siguroni mbylljen termike të kavanozit.


Ami më siguroi që kjo është ngjyra dhe lidhja perfekte 🤗.
Shijoni reçelin tuaj të gështenjës në shumë forma (me bukë të thekur, për bazë keku, si krem për mbushje krepash etj) dhe ndihuni pak francez çdo mëngjës 😍. Ju bëftë mirë. ❤🌷



SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig