Këtë recetë Dola e Kuzhina e Shtëpisë time e ka quajtur “treshe” sepse përbërësit bazë janë në masa 3-she. Po ta emërtoja kështu do ishte i “pagjetshëm” në google 😍. Ndaj e emërtova me emrin që do e kërkonim të gjithë si një recetë tradicionale, që nuk i ka munguar tavolinave tona.
Recetën e Dolës e kisha ruajtur prej kohësh, por momenti erdhi fundjavën e kaluar, kur në shtëpi na erdhi nipi i Bledit, i cili jeton në Itali.
Loreni (nipi) i ka shumë qejf ëmbëlsirat me shërbet dhe llokumet shqiptare. Meqë do rrinte shumë shkurt, do e kënaqnim patjetër me shijet e tij të preferuar, sidomos kur pritshmëria e një nuse daje blogere ushqimi është e lart 🤗.
Treshe, është një ëmbëlsirë shumë e thjeshtë, me përbërës që na gjenden në shtëpi në thuajse në çdo moment dhe që nuk dështon as në pjekje as në shije. Me gjalp, vezë dhe sheqer çdo ëmbëlsirë do ishte WOW 😋.
Përbërësit:
3 vezë fshati
3 filxhanë kafe gjalp i tretur
3 filxhan kafe sheqer
3 filxhan kafe arrë në copa
6 filxhan kafe miell
1 lugë çaji sodë për pjekje
Për shërbetin:
250 gr sheqer
400 ml ujë
Përgatitja:
Rrahim gjalpin e tretur me sheqerin për disa minuta me rrahës elektrik. Shtojmë vezët një nga një. Më pas miellin dhe sodën për pjekje, por këtu trazojeni masën me lugë silikoni sepse masa del pak më e forte se një kek normal (referohu fotos). Shtojmë arrat dhe shtrojmë masën e kekut në një tave që e kemi lyer më parë me gjalpë.
Pjekim në 180 gradë, për 30 minuta ose derisa prova e thikës të dalë e pastër. E lëmë kekun të ftohet tërësisht dhe fillojmë përgatisim shërbetin. Kur shërbeti merr valë, e lëmë të ziejë atë 14 minuta nga pika e vlimit. E lini shërbetin në qetësi 5 minuta dhe më pas shtojeni atë tek keku i ftohur të cilin e keni prerë në copa. Unë ja shërbëva nipçes menjëherë (ky kek e thith shërbetin në moment) pasi hodha shërbetin e ngrohtë me akullore….mmmm super e shijshme.
Në mungesë të akullores shërbejeni me luleshtrydhe të freskët ose thjesht. Ju bëftë mirë. Ju Dua! ❤🤗
Shikoni si e ka thithur të gjithë shërbetin. Unë preferoj të bëj pak shërbet, që keku mos të notojë në të.
1 comment
Ndjesë për postimin e vonë të këtij gatimit se na iku fare
dhe sezoni i preshit, por më duhet ta postoj në recetat e familjes gjellën me
presh, e preferuar në gjithë familjen tonë. Nga çunat Henri është ai që e ha
më shumë, por dhe Luis e mbaron pjatën.
Ajo që kam dëgjuar gjithmonë nga mami Lika sa herë gatuan
gjellën me presh është: 1. Prerja e copave të preshit pak të mëdha jo të vogla
dhe 2. Të ruhet forma e preshit në kubikë pa u bërë fije fije brenda gjellës :).
Ndaj mënyra e mami Likës këtë synon të servirë
gjellë me presh jo vetëm të shijshme, por padyshim dhe të rregullt. Recetën përveçse
me foto këtu në blog, do e gjeni dhe në llogarinë e Bonbon Taste në Instagram (https://www.instagram.com/bonbon_taste/?hl=en) tek highlights me të njëjtin emër, meqë aty kam dhe video të
përgatitjes së kësaj recete.
Përbërësit:
1,5 kg presh
500 gr mish
gice (tule)
2 qepë
mesatare
2-3 gjethe
dafinë
Piper i kuq
kokërr (edhe i zi bën punë)
1 lugë çaji
salcë speci
1 lugë çaji
salcë domate
½ lugë spec i
kuq pluhur
1 filxhan
kafe vaj për gatim
Përgatitja:
Fillimisht pastrojmë preshin nga bishtat, e lajmë
dhe e presim në copa si në foto. Në tenxhere me presion vendosim qepën dhe
mishin dhe i lëmë të kaurdisen derisa qepa fillon e tretet (karamelizohet). Në
këtë moment shtojmë dy salcat, specin e kuq dhe piperin.
Trazojmë dhe shtojmë ujë derisa të mbulojmë mishin. E mbyllim tenxheren me presion dhe e lëmë mishin të gatuhet për 30 minuta.
Këshillë: Mishin e vendosim të ziejë pa preshin për 30 minuta meqë mishi kërkon më shumë kohë të zbutet sesa preshi. Në këtë mënyrë kur të shtojmë preshin, tenxherja me presion do rri në zjarr për kohën e nevojshme sa të zbutet preshi, duke plotësuar kështu dhe kohën shtesë të zjerjes përfundimtare të mishit.
Pas 30
minutash, hapim tenxherën dhe shtojmë preshin me gjithë gjethet e dafinës pa i
shtuar më ujë. E lëmë preshin të “vritet” në këtë mënyrë, për 10 apo 15 minuta
dhe do shohim se preshi do ulë vëllimin e vet, duke u “zhytyr” i tëri në lëngun
e gjellës. Rregullojmë gjellën me kripë, trazojmë me kujdes dhe mbyllim
tenxheren me presion duke e zjerë dhe për 30 minuta të tjera mishin dhe preshin bashkë. (Mos
shtoni ujë ju lutem dhe mos e trazoni shpesh në këtë fazë. Gjithashtu më duhet
t’ju them që kjo teknikë gatimi vlen për amvisat që përdorin tenxhere me
presion gjatë gatimit të gjellëve me mish)
Pamja përfundimtare
e gjellës është kjo. Servireni gjellën me presh me një sallatë të dashur
ullinj, presh, limon dhe shijoni këtë pjatë të traditës shqiptare. Ju bëftë mirë.
Mund ta kisha ndarë dhe këtë recetë si shumë të tjera në story të
instagram, por kam vënë re që nuk kam dhe aq shumë receta supe në blogun tim.
Jo se nuk gatuaj supë në shtëpi, por sesi më duken këto recetat e supës,
sidomos supat e dimrit që për mua janë “merr e hidh çfarë perimesh ke në
frigorifer”, vaj ulliri, limon, piper ose majdanos dhe ja ku ke një super supë 😍.
Përse vendosa të ndaj këtë recetë supe me ju? Sepse kjo është supë me
karakter hahah, siç është dhe Supa Ambasador (kliko) dhe meriton të ketë vendin
e saj radhitur në kategorinë “Supë”.
Ajo që vlen të them në përzgjedhjen jo rastësore që unë i bëj perimeve
kur bëj një supë është që i kam të grupuara/ndara ato kështu: ku ka spinaq,
kungull, presh nuk hedh speca, ku ka speca hedh me shumë qepë, patate, domate,
hudhra. Këto janë thjesht grupime personale sipas shijes Bonbon Taste, jo rregulla
kokëforte që nuk i “thyejmë” dot 🤗😍.
Kur po gatuaja supën këtë fundjavë nuk kisha menduar të bëja foto apo
video për postim dhe meqë ndërrova mendje në gjysëm të punës, fotot ilustruese
në këtë recetë do fillojnë nga kaurdisja e perimeve në tenxhere, jo nga tufa e
perimeve që përdora. Por pa merak ato do t’i listojë poshte tek përbërësit 😜.
Përbërësit për 4 vetë:
½ qepë mesatare
½ trupë preshi
1 kungull jeshil
2 karrota
2 patate mesatare
½ patate të ëmbël
2 degë të plota selino
2 thelpinjë hudhër
1 dorë spinaq
1 lugë gjelle gjalp
3-4 lugë gjelle vaj ulliri
2 lugë gjelle oriz
2 kubikë për supë
Përgatitja:
Pasi lajmë të gjitha perimet, i grijmë ato në
kubikë dhe i shtojmë në tenxhere ku kemi shtuar gjalpin dhe vajin e ullirit.
Hudhrat dhe spinaqin do i shtojmë pak më vone. I lëmë perimet të kaurdisen në
zjarr të avashtë derisa ato të kristalizohen në pamje dhe të thajnë disi ujin e
tyre. Në këtë moment shtojmë hudhrën e grirë dhe e lëmë në zjarr për 1 minutë
me perimet e tjera që hudhra të lëshojë aromën e saj. Shtojmë rreth 1.2 ose 1.5
ml ujë, 2 kubikët për supë, vendosim kapakun dhe e lëmë supën të ziejë.
Rreth 20 min pas vlimit, kur shohim që perimet e forta po zbuten,
shtojmë orizin.
E lëmë të ziejë dhe 10 minuta dhe në fund të kësaj kohe shtojmë
spinaqin.
Lëreni
supën në qetësi për disa minuta përpara sesa ta servirni atë. Shoqërojeni supën
me limon dhe piper të bardhë të bluar në moment. Ju bëftë mirë. ❤🤗
Subscribe to:
Posts (Atom)

























































