Ajo që kam dëgjuar gjithmonë nga mami Lika sa herë gatuan
gjellën me presh është: 1. Prerja e copave të preshit pak të mëdha jo të vogla
dhe 2. Të ruhet forma e preshit në kubikë pa u bërë fije fije brenda gjellës :).
Ndaj mënyra e mami Likës këtë synon të servirë
gjellë me presh jo vetëm të shijshme, por padyshim dhe të rregullt. Recetën përveçse
me foto këtu në blog, do e gjeni dhe në llogarinë e Bonbon Taste në Instagram (https://www.instagram.com/bonbon_taste/?hl=en) tek highlights me të njëjtin emër, meqë aty kam dhe video të
përgatitjes së kësaj recete.
Përbërësit:
1,5 kg presh
500 gr mish
gice (tule)
2 qepë
mesatare
2-3 gjethe
dafinë
Piper i kuq
kokërr (edhe i zi bën punë)
1 lugë çaji
salcë speci
1 lugë çaji
salcë domate
½ lugë spec i
kuq pluhur
1 filxhan
kafe vaj për gatim
Përgatitja:
Fillimisht pastrojmë preshin nga bishtat, e lajmë
dhe e presim në copa si në foto. Në tenxhere me presion vendosim qepën dhe
mishin dhe i lëmë të kaurdisen derisa qepa fillon e tretet (karamelizohet). Në
këtë moment shtojmë dy salcat, specin e kuq dhe piperin.
Trazojmë dhe shtojmë ujë derisa të mbulojmë mishin. E mbyllim tenxheren me presion dhe e lëmë mishin të gatuhet për 30 minuta.
Këshillë: Mishin e vendosim të ziejë pa preshin për 30 minuta meqë mishi kërkon më shumë kohë të zbutet sesa preshi. Në këtë mënyrë kur të shtojmë preshin, tenxherja me presion do rri në zjarr për kohën e nevojshme sa të zbutet preshi, duke plotësuar kështu dhe kohën shtesë të zjerjes përfundimtare të mishit.
Pas 30
minutash, hapim tenxherën dhe shtojmë preshin me gjithë gjethet e dafinës pa i
shtuar më ujë. E lëmë preshin të “vritet” në këtë mënyrë, për 10 apo 15 minuta
dhe do shohim se preshi do ulë vëllimin e vet, duke u “zhytyr” i tëri në lëngun
e gjellës. Rregullojmë gjellën me kripë, trazojmë me kujdes dhe mbyllim
tenxheren me presion duke e zjerë dhe për 30 minuta të tjera mishin dhe preshin bashkë. (Mos
shtoni ujë ju lutem dhe mos e trazoni shpesh në këtë fazë. Gjithashtu më duhet
t’ju them që kjo teknikë gatimi vlen për amvisat që përdorin tenxhere me
presion gjatë gatimit të gjellëve me mish)
Pamja përfundimtare
e gjellës është kjo. Servireni gjellën me presh me një sallatë të dashur
ullinj, presh, limon dhe shijoni këtë pjatë të traditës shqiptare. Ju bëftë mirë.
No comments
Post a Comment