Friday, March 1, 2019

Supë me perime

Mund ta kisha ndarë dhe këtë recetë si shumë të tjera në story të instagram, por kam vënë re që nuk kam dhe aq shumë receta supe në blogun tim. Jo se nuk gatuaj supë në shtëpi, por sesi më duken këto recetat e supës, sidomos supat e dimrit që për mua janë “merr e hidh çfarë perimesh ke në frigorifer”, vaj ulliri, limon, piper ose majdanos dhe ja ku ke një super supë 😍.
Përse vendosa të ndaj këtë recetë supe me ju? Sepse kjo është supë me karakter hahah, siç është dhe Supa Ambasador (kliko) dhe meriton të ketë vendin e saj radhitur në kategorinë “Supë”.
Ajo që vlen të them në përzgjedhjen jo rastësore që unë i bëj perimeve kur bëj një supë është që i kam të grupuara/ndara ato kështu: ku ka spinaq, kungull, presh nuk hedh speca, ku ka speca hedh me shumë qepë, patate, domate, hudhra. Këto janë thjesht grupime personale sipas shijes Bonbon Taste, jo rregulla kokëforte që nuk i “thyejmë” dot 🤗😍.
Kur po gatuaja supën këtë fundjavë nuk kisha menduar të bëja foto apo video për postim dhe meqë ndërrova mendje në gjysëm të punës, fotot ilustruese në këtë recetë do fillojnë nga kaurdisja e perimeve në tenxhere, jo nga tufa e perimeve që përdora. Por pa merak ato do t’i listojë poshte tek përbërësit 😜.

Përbërësit për 4 vetë:
½ qepë mesatare
½ trupë preshi
1  kungull jeshil
2 karrota
2 patate mesatare
½ patate të ëmbël
2 degë të plota selino
2 thelpinjë hudhër
1 dorë spinaq
1 lugë gjelle gjalp
3-4 lugë gjelle vaj ulliri
2 lugë gjelle oriz
2 kubikë për supë

Përgatitja:
Pasi lajmë të gjitha perimet, i grijmë ato në kubikë dhe i shtojmë në tenxhere ku kemi shtuar gjalpin dhe vajin e ullirit. Hudhrat dhe spinaqin do i shtojmë pak më vone. I lëmë perimet të kaurdisen në zjarr të avashtë derisa ato të kristalizohen në pamje dhe të thajnë disi ujin e tyre. Në këtë moment shtojmë hudhrën e grirë dhe e lëmë në zjarr për 1 minutë me perimet e tjera që hudhra të lëshojë aromën e saj. Shtojmë rreth 1.2 ose 1.5 ml ujë, 2 kubikët për supë, vendosim kapakun dhe e lëmë supën të ziejë. 



Rreth 20 min pas vlimit, kur shohim që perimet e forta po zbuten, shtojmë orizin.

E lëmë të ziejë dhe 10 minuta dhe në fund të kësaj kohe shtojmë spinaqin.
Pas 2-3 minutash në zjarr, spinaqi është zbutur, provojmë supën për kripë (mos harroni që keni shtuar dy kubikë për supë) dhe largojeni tenxheren nga zjarri. 


Lëreni supën në qetësi për disa minuta përpara sesa ta servirni atë. Shoqërojeni supën me limon dhe piper të bardhë të bluar në moment. Ju bëftë mirë. ❤🤗








SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig