Monday, February 25, 2019

Strudel me mollë (Vienez)

Siç e theksoj sa herë që përgatis ëmbëlsira me mollë, këto gatime i kushtohen gjysmës time Bledit. Dje tek i pyesja fëmijët a e gjen kush se çfarë ëmbëlsire surprizë do ju gatuaj, asnjëri nuk ju afrua përgjigjes së saktë. Kur u dhashë ndihmën që është nga ëmbëlsirat e preferuara të babit lëshuan një “oooooooiiiiiiii ëmbëlsirë më mollë” hahahah.

Sa herë që kam përgatitur strudel kam përdorur petë të gatshme pasi më dukej e vështirë të krijoja petë të holla dhe të shkrifta siç i do një strudel i vërtetë. Por kur ke shoqe si Esmeralda e “Si Shijon” që të orienton në receta të vjetra, nga ato të gjyshes e merr mundimin të gatuash një recetë strudeli prej andej nga ka dhe origjinën, nga Viena, duke marrë parasysh që dhe mund të dështoje në hapjen aq të hollë të petës 😍. Më duhet të them që godita në shenjë që me herën e parë 🤗. Peta u hap si tullumbace dhe u surprizova për mirë që një nga teknikat e bërjes së brumit sa më elastik, e përdorur nga gjyshet vieneze, e kam mësuar nga mami Dyshka, mama e Ledinës, shoqes time. Përplasja e brumit disa herë mbi tavolinën e punës ndihmon në aktivizimin e glutenit dhe ndoshta  nuk  kemi ditur t’i japim shpjegimin kimik të proçesit, ama mamat tona e njohin shumë mirë teknikën e përfitimit të një brumi elastik dhe të shkrifët. Le të vijojmë me përbërësit të cilët do i ndaj në dy kategori, për brumin dhe për mbushjen.

Përbërësit për brumin:
80 ml ujë i vakët
1 e ½ lugë gjelle vaj për gatim
1 lugë çaji lëng limoni apo uthull
1 majë luge çaji kripë të imët
150 gr miell (miell për bukë ose çdo lloj tipi tjetër)

Përbërësit për mbushjen:
3 lugë gjelle gjalp
80 gr galetë e imët ose 2/3 e kupës
5 lugë gjelle sheqer
½ lugë çaji kanellë
50 gr ose 4 lugë gjelle rrush të thatë
3-4 kokrra mollë
Lëngu i gjysëm kokrre limoni
Gjalp i tretur për të lyer petën
Sheqer pluhur

Përgatitja:
Hapi i parë në këtë ëmbëlsirë delikate është përgatitja e brumit i cili do 1 orë të rrijë në qetësi.
Në një tas shtojmë ujin e vakët, uthull në rastin tim dhe vajin dhe gjysmën e sasisë së miellit (unë e bëra me miell buke Fieri 🤗) dhe trazojmë më lugë druri derisa të krijohet një masë kremi si për petulla. E përziejme për rreth 1 minutë kremin. Më pas shtojmë miellin e mbetur (mund të shtoni miell ekstra nëse ju nevojitet) derisa të përfitoni një masë brumi të butë, por që nuk ngjit.


Punojeni brumin për disa minuta mbi tavolinën e punës, duke e lyer fillimisht me miell dhe më pas përplaseni atë disa herë mbi tavolinë për të përfituar elasticitetin që ju kam sqaruar më sipër. E vendosim brumin në një tas të lyer me vaj, e lyejmë dhe masën e brumit nga të gjitha anët me vaj dhe e mbulojmë me membranë. E lëmë në këto kushte në temperaturë ambjenti për 1 orë.


Vijojmë me përgatijen e mbushjes. Në një tigan shtojmë gjalpin. Kur gjalpi të jetë tretur, hedhim galetën, sheqerin, kanellën dhe trazojmë për 2-3 minuta. Grijmë mollët, mundësisht në forma të rregullta (unë do shtoj më shumë mollë herën tjetër) dhe mbi to shtrydhim lëngun e një gjysëm kokrre limoni. Vendosni rrushin e thatë në ujë të vakët që të zbutet.




Kur brumi të ketë qëndruar 1 orë në qetësi e hapim atë mbi banak të lyer me miell dhe fillimisht e shtrojmë me pecin e trashë (do ndjeni se çfarë butësie dhe elasticitet ka ky brumë). Më pas me duar do vijoni të hapni brumin nga të gjitha anët. Do shihni sesi brumi do hapet lehtësisht duke u bërë shumë i hollë si në foto (në instagram të Bonbon Taste do shikoni disa video ilustruese të hapjes së petës).



Pasi peta të hapet mjaftueshëm vijoni si në fotot më poshtë. Fillimisht me gjalpin e tretur lyeni gjysëm e petës. Në gjysmën tjetër shtroni galetën e skuqur. Mbi të mollët dhe lëngun e limonit dhe në fund fare rrushin e thatë (pasi ta keni shtrydhur nga uji i tepërt). Lyeni me gjalp anësoret e petës nga pjesa e mbushur e strudel dhe filloni palosjen si në foto. Më pas me lëvizje rrethore krijoni strudelin tuaj.






  

Vendoseni strudel në një tavë ku keni shtruar letër për pjekje (pjesa e palosjes të jetë poshtë) dhe piqeni atë në 180 gradë për 30 minuta ose derisa të marrë një ngjyrë të artë të lehtë. E lini strudelin tuaj të ftohet, më pas e prisni dhe e servirni me sheqer pluhur. 






Një strudel shumë delikat në shije me një petë aq të hollë që shpërbëhet si petë bakllavaje 🤗❤.

Këshillë: këtë lloj pete mund ta përdorni për çdo lloj mbushje tjetër të ëmbël apo të kripur meqë shija e petës është neutrale. Unë për vete do e tentoj dhe me mbushje të kripura.
Shijoni fotot në vijim. Ju bëftë mirë. Ju dua 🤗❤🙏









SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig