Tuesday, April 23, 2019

Bukë Pashke sipas Bonbon



Që thoni ju e ndava mendjen të ribëja bukën e pashkës që e kam përgatitur 2 vite më parë, kur zyrtarisht u prezantuam bashkë me mami Likën dhe çunat si “Skuadra Bonbon Taste” në Top Channel. 
Aty ishim të ftuar për 2 gatime të festës së Pashkës, ku mami Lika u prezantua me yshmerin e ëmbël, ndërsa unë me bukën e Pashkës. Këtë recetë nuk e kisha sjellë ndonjëherë për lexuesit e blog dhe për t’ju lehtësuar 30 minuta video në youtube 😍, prej sot e gjeni këtu në ditarin e gatimeve të familjes time.
Për të rikujtuar dhe momentet e dy viteve më parë, kam përzgjedhur dhe foto të asaj dite 🤗.
Tani, mirë që ndava mendjen të bëja bukën e
Pashkës që ta keni gati për gatimet e kësaj feste, por vendosa që vezët t'i “skuqja” në mënyrë natyrale sic na sugjeroi mikja jonë në instagram Bruna e cooking_with_bruna. Por më dështuan me sukses 😝.
Siç tha dhe Bruna suksesi i ngjyrosjes natyrale të vezëve varet shumë nga lëvozhga e saj. Të miat nuk donin që nuk donin të merrnin ngjyrë ahaha, ndaj përfunduan portokalli me ngjyrën e vetme që më gjendej në shtëpi nga viti i kaluar. Nga fotot do e kuptoni dhe vet që dhe me vezë portokalli bukët individuale të Pashkës shkëlqyen .
Meqë do kemi miksim fotosh të sot dhe dy viteve me parë, do kemi dhe bukë pashke me vezë të kuqe. Më ndiqni me recetën më poshtë.

Përbërësit:
120 ml qumësht
80 gr sheqer kafë
1 paketim maja pluhur 
50 gr gjalp
2 kokrra vezë
1 majë luge çaji kripë
450 gr miell
1 lugë çaji kardamom
1 lugë çaji mahlep
Vezë të zjera me ngjyra
Dashuri ❤❤❤


Përgatitja:

Tresim gjalpin dhe shtojmë qumështin. Sigurojmë që masa të jetë e vakët në temperaturë. Shtojmë sheqerin, kripën dhe majanë dhe e lëmë masën e lëngshme në qetësi për disa minuta. Shtojmë miellin, 1 kokërr vezë, erëzat kardamom dhe mahlep (të dyja këto i gjeni në versionin pluhur tek Neranxi). Hedhim miellin dhe fillojmë e trazojmë masën me dorë dhe shtojmë miell derisa të përfitojmë një masë brumi të butë që na lë duart e pastra. E punojmë brumin për disa minuta më dorë dhe më pas e vendosim në një tas të lyer me vaj. E mbulojmë me një pecetë dhe e lëmë 1 orë në temperaturë ambjenti.



Ah kjo e verdha e vezës së freskët nuk ka të paguar. 😋


Pas një ore, e ndajmë brumin në copa të barabarta, por numër çift, meqë gërshetat që do mbledhim duhet të jenë me shirita dy nga dy. Para dy vitesh me këtë masë mielli kam nxjerrë 3 bukë të mëdha individuale, ndërsa sot 6 të tilla sepse i bëra gërshetët më të vegjël 😍.
Hapini topthat e brumit si në foto. Merrni shiritat 2 nga 2. Puthitini mirë në krye dhe vijoni përdredhjen e tyre tek njëri tjetri, më pasi jepini forma rrethore duke krijuar bukën e vogël.






I vendosni “bukuritë” në tavë dhe mbulojeni tavën përsëri me pecetë dhe e lini të vijë në qetësi dhe për 1 orë tjetër. 🙏

Përgatisni një “eggwash” ose të verdhë vezë të holluar me pak ujë dhe me një furçë, lyeni bukët sipër. Nëse keni susamë shtojani sipër, nëse jo nuk është fundi i botës. As unë nuk kisha 🤩. Në këtë moment merrni vezët e ngjyrosura, i lyeni ato me vaj dhe i vendosi në mes të bukës.









Ky është momenti i shumëpritur, pjekja e tyre në 180 gradë për 25-30 minuta.🙏
Dhe ndërkohë që ka qindra receta për bukë Pashke në botën e madhe të informimit dhe recetave, gëzojuni dhe shijoni një gatim të gatuar në shtëpi me shumë dashuri në mbledhjet tuaja familjare. GËZUAR PASHKËT 🙏🙏🙏. JU DUA ❤❤❤❤









SHARE:

2 comments

  1. Sh e ngjashme me receten e mamit tim, edhe menyra si e lidh brumin, por kete mahlep e kardamom nuk i kisha degjuar ndonjehere. Cfare jane?

    ReplyDelete
    Replies
    1. Kardamome dhe mahlep janë dy erëza aromatike që përdoren në ëmbëlsira kryesisht në festat fetare. Aroma që ti ndjen nga buka e Pashkës apo panetones së blerë për shembull. Gëzuar Pashkët 🙏❤

      Delete

Blogger Template Created by pipdig