Mami Lika përgatit reçelra të ndryshëm, shumë nga të cilët unë nuk kam
tentuar t’i bëj vet për aq kohë sa më vijnë gati :), por reçelin e portokallit,
të limonit (të verdhë apo jeshil) nuk
pres t’i bëj mami Lika. Më pëlqejnë shumë dhe gjatë stinës së dimrit përgatis në
sasira të vogla vet. Ky është viti i parë që nuk e bëj në dimër, por në pranverë
:) meqë kishim reçel ftoi dhe meqë një nga koleget tek puna (blogere ushqimi dhe ajo) ma kërkoi recetën.
I thashë më prit disa ditë se do e kesh të postuar në blog :). Për shkëmbime të
tilla recetash do ju flas më gjatë në postimin e radhës, sot do shkruajmë vetëm
për portokallet :).
Kur përgatis reçelin e portokallit, unë përgatis dhe esencën e lëkurave
të portokallit siç ma ka mësuar mami Lika dhe që nuk mungon asnjëherë në
frigoriferin tim dhe të mamasë time. Kjo lloj essence apo arome është pak të
thuash kryevepër kur përgatit kekë apo biskota me shije portokalli. Ja u
sugjeroj të gjithëve, pasi është një përzierje që sa më shumë rri aq më e mirë
bëhet :). Do ta tentoj dhe me lëkurat e limonit dhe do ju bëj me dije nëse do
ja vlejë. Për më poshtë receta.
Përbërësit:
1 e ½ portokalle
900 gr sheqer
Një majë luge vanilje (opsionale)
8-9 kokrra cardamone (opsionale, i gjeni tek Neranxi)
1 kokërr limoni
Përgatitja
Lajmë portokallet dhe me një rende fillojmë t’i gëryejmë lëkurën. Një
kokërr portokalle do e lëmë me lëkurën e plotë se do na duhet më vonë.
Mbushim një vazo me gjysmën e lëkurave të grira, e ngjeshim me dore,
hedhim 2-3 lugë sheqeri. E mbulojme sipër përsëri me lëkurat e grira dhe në
fund e mbulojmë me sheqer. I vëmë kapakun dhe e ruajmë gjatë gjithë kohës së përdorimit
në frigorifer. Lëkura dhe sheqeri do kalojnë në proçes fermentimi duke krijuar
nje esencë të fortë portokalli, gati për çdo ëmbëlsirë me këtë aromë. Duhen 2-3
javë për t’u siguruar kjo masë. Hapeni vazon një herë në javë dhe nëse shikoni që
lekura e portokallit nuk e ka errësuar pak ngjyrën i shtoni prap sheqer, mos e
përzjeni dhe lëreni derisa masa të jetë gati. Në fund do përfitoni një masë si
prevede, në ngjyrë të errësuar.
Esenca është gati vazhdojmë me reçelin. Qërojmë portokallet si në foto
duke hequr dhe lëkurën e hollë që i rrethon. I presim në kubikë, i shtojmë sheqerin,
lëngun e një limoni, trazojmë dhe kalojmë masën në tenxhere. Shtojmë vaniljen
dhe cardamone sipas dëshirës. Unë i shtova meqë i kisha në shtëpi që nga përgatitja
e “Mulled Wine”.
Vendosim reçelin për të zjerë, për afro 45 minuta duke trazuar herë
pas here.
Lëkurën
e një portokalli që e ruajtëm e vendosim në një tenxhere të vogël dhe e ziejmë
për 5 minuta. E nxjerrim e kullojmë, e presim në rripa të hollë dhe ja shtojmë
reçelit që sapo ka filluar të marrë valë. 5 minuta përpara se reçeli të jetë
gati sipas dëshirës e kalojmë me një grirës elektrik si në foto, për të përfituar
një masë si prevede të reçelit. (çunat e
mi e pëlqejnë kështu).
Reçeli
është gati, kur pasi e hidhni në pjatë duket si në foto.
Hidheni
menjëherë në vazo, mbylleni sa është i nxehtë dhe kthejeni vazon me kokë poshtë
që të siguroni mbylljen hermetike. Nga 1 kg e gjysëm portokalle dolën këto dy
vazo.
Shijoni fotot dhe ju bëftë mirë.