Është pak si e vonuar si recetë, por ka disa gjera që mami Lika i bën
vetëm në shtëpinë e vet dhe meqë jemi pak larg nuk kam si ta fotografoj 😔.
Ballokumet sipas mami Likës mbase nuk janë 100% si ato të pregatitura në një
shtëpi me tradita Elbasanase, por i afrohen shumë për nga cilësia e produkteve
dhe teknika e përdorur. Meqë kishim pushim, në mes të javës ne shkuam në Fier.
Mami Lika ja u kishte premtuar çunave t’ja u ribënte përsëri, meqë i shijuan
shumë ato që nëna dërgoi për ditën e verës. Por Fierit tim i ikin dritat dhe për
ditë feste (për fat të keq) dhe kur erdhën, ne kishim vetëm një orë kohë për
t’i bërë e fotografuar, ndaj pjesa më e madhe e fotove është shumë e rrëmujshme.
Nuk kishim kohë për foto të bukura, por për foto të kuptueshme :). Në pjesën e
fundit të fotove e kemi rregulluar pak dorën, meqë servirjen e bëmë tek shtëpija
jonë në Tiranë, pa ngut :).
Përbërësit:
1 kg miell për ballokume
1 kg sheqer pluhur
½ kg gjalp i shkrirë
8 vezë të freskëta
1 filaxhan kafe finjë
Përgatitja:
Për ballokumet keni miell të posaçëm që e gjeni lirshëm në muajin mars
në market.
Përgatitja e ballokumeve kërkon të paktën 30 minuta rrahje me dorë (lugë druri) të përbërësve. Fillimisht 20
minuta duhet të rrahim sheqerin pluhur me gjalpin e shkrirë, të cilin e shkrijmë
më parë (gjalpin e shkrirë e lëmë në zjarr sa të bëhet i lëngshëm, pasi është i
shkrirë vet :)).
Mami Lika pati ndihmë të pakursyer në këtë proçes nga gjithë çunat e
familjes :). Pas 20 minuta rrahje, gjalpi dhe sheqeri marrin një ngjyrë me të
hapur dhe masa duket si shkumë. Në këtë moment fillojmë të hedhim vezët një nga
një dhe rrahim dhe për 10 minuta të tjera. Më pas shtojmë miellin dhe finjën, e
cila ndihmon në përbërjen e shkrifët, por pak kokrizore të ballokumit.
Si të përgatisim finjën? Në një tenxhere të vogël hedhim 200 ml ujë dhe e lëmë të ziejë. Sapo uji zjen shtojmë dy grushta hi (prej hirit të krijuar nga djegia e druve), e heqim tenxheren nga zjarri dhe e lëmë masën të kullojë. Kur hiri ka kulluar në fund të enës, marrim një filxhan kafe nga kjo masë për t’ja shtuar brumit të ballokumeve (për 1 kg miell).
Brumi është gati. Përpara sesa të fillojmë të bëjmë topthat e ballokumeve,
e lëmë pak brumin të rrijë në qetësi. Lyejmë një tepsi me vaj, lyejmë dhe duart
tona me vaj dhe i shtrojmë në mënyrë të tillë në tavë.
Shënim: pjesën e mbetur të
brumit meqë nuk kishte kohë unë e përfundova në Tiranë dhe i shtrova letër
gatimi. Kështu bëheni dhe ju në shtëpitë tuaja.
Upsssss :)
Pjekim në furrë të nxehur më parë, në 180 gradë, derisa të marrin
ngjyrën e artë. Përpara se ti heqim nga tava i lëmë ballokumet të ftohen që mos
të na shkërmoqen nëpër duar :). Ju bëftë mirë.
No comments
Post a Comment