Wednesday, November 1, 2017

Tortë me mousse (mus) çokollatë

Kam një pyetje për mikeshat e mia blogere ushqimi, a ndiejnë sikur nuk dinë çfarë të gatuajnë dhe shterim idesh kur ftoni dikë për darkë apo duhet të çoni një gatim diku? Ke ndjesinë dhe me të drejtë, sikur je në testim të çdo kafshate që miqtë e tu shijojnë.
Para disa ditësh isha në kushtet që Henri duhet të prezantohej me një recetë të gatuar vet. Pasi u menduam një javë në fund vendosëm për tortën që do ju prezantojmë më poshtë me vetëm 4 përbërës. Vështirësia në këtë recetë të pa testuar më parë qëndronte në proçesin e pjekjes së tortës, por dhe nëse do dështonim në pamje do e hanim vet dhe do përgatisnim një gatim tjetër 😍.
Fati deshi që unë me Henrin të nderoheshim në këtë përzgjedhje. Kemi marrë komplimenta të shumta për shijen e tortës. Ja u sugjeroj ta provoni, pasi nuk besoj që ka njeri që nuk tundohet nga një tortë e gjitha me çokollatë 🤗.


Përbërësit:
200 gr çokollatë e zezë
200 gr gjalp
5 vezë të mëdha
140 gr sheqer
1 majë luge kripë
Kakao pluhur për zbukurim
Mjedër (opsionale)

Përgatitja:
Vendosim në një tas çokollatën dhe gjalpin e copëtuar. E fusim masën në mikrovalë, duke e trazuar herë pas herë në intervale 30 sekondëshe. Kur e gjitha çokollata të jetë shkrirë e lëmë tasin mënjanë të ftohet.
Ndajmë të verdhat nga e bardha e vezëve. Tek të bardhat hedhim një majë luge kripë dhe fillojmë rrahjen e tyre. Kur masa të jetë dyfishuar dhe zbardhur hedhim pjesë pjesë 40 gr sheqer dhe e rrahim derisa masa të mpikset tërësisht.
Të verdhat e vezës i rrahim me 100 gr sheqer për 2-3 minuta. Pjesë pjesë shtojmë aty çokollatën e shkrirë duke e trazuar, pasi jemi siguruar që masa është ftohur (që të shmangim pjekjen e vezës). 






Faza e fundit është bashkimi i masës së çokollatës me të bardhën e vezëve duke e trazuar me lëvizje rrethore. Mousse është gati.


Nëse kemi një spring pan (tepsi për torta) akoma më mirë, nëse jo çdo tepsi do të kryej punë mjaft të lyeni me pak gjalp fundin e tepsisë, të shtroni letër për pjekje mbi të dhe këtë të fundit ta lyeni përsëri me gjalpë përpara se te hidhni aty masën e kekut. Shtoni gjysmën e masës së çokollatës në tepsinë që bët gati. 

Futeni për të pjekur në 180 gradë, në mes të furrës për 15 -20 minuta ose derisa kur ta prekni kekun sipër të jetë një mase e tendosur, jo e qulltë.
E nxjerrim tepsinë nga furra dhe do shohim që torta do të “rudhoset” pak dhe kjo është mëse normale pasi është një përmbajtje që nuk ka miell.
Gjysmën tjetër të mousse me çokollatë e vendosim në frigorifer për të paktën 2 orë. Enën e mbështjellim me qese kuzhine.
Kur torta të jetë ftohur me shumë kujdes me anën e një shpatulle e vendosim atë në pjatancën e servirjes. Shtojmë sipër mousse çokollatën duke e përhapur lehtësisht me një thikë.




Pluhurosim sipër me kakao dhe zbukurojmë me mjedër sipas dëshirës. Torta mbahet në frigorifer dhe është gati për servirje në çdo kohë. Ju bëftë mirë.




 

















SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig