Ja dhe këtë recetë të kripur, e më pas do postojmë receta ëmbëlsirash
se na ka shkuar mendja. Por nuk rrija dot pa e postuar versionin e kish me
presh të Ejonës, e cila është jo vetëm kolegia ime, por siç ja u kam shpjeguar
dhe në një postim të disa muajve më parë është dhe një blogere e shkëlqyer
gatimi. Nëse preferoni recetat pa mish dhe ëmbëlsira plot stil, blogu Ejonës http://mandarina-yum.com/sq/ është
vendi i duhur për t’u drejtuar.
Në stinën e dimrit ku perimet bazë janë preshi, spinaqi dhe lakra unë
përpiqem të sjell sa më shumë versione të byrekut me spinaq dhe presh, pasi kjo
është mënyra e preferuar e marrjes së këtyre perimeve nga fëmijët e mi. Ndaj
dhe receta e Ejonës më tërhoqi menjëherë dhe e kam bërë për herë të parë që ditën
që ajo e postoi në blog. Hera e dytë është sot për ju. Nëse herën e parë e
gatova recetën fiks sipas Ejonës, herën e dytë bëra ato ndryshimet e stilit
Bonbon, që nuk rri dot pa futur hundët në çdo recetë 😜.
Nuk janë ndryshime thelbësorë në shije, do ja u shpjegoj në vijim.
Përbërësit për krostatën:
50 gr gjalp
20 ml vaj ulliri
50 ml kos
250 gr miell
¼ lugë çaji pluhur pjekës
Kripë
Përbërësit për mbushjen:
2-3 trupa të plotë preshi pa bishtat
2 lugë vaj ulliri
1 lugë gjalp
2 kokrra vezë
100 ml pana për gatim
100 gr gjizë pa kripë
Kripë, pipër, arrë moskat
Përgatitja:
Fillojmë me përgatitjen e krostatës së kish. Shtojmë gjalpin e tretur,
vajin e ullirit, kosin në një enë. Shtojmë kripën, pluhurin pjekës dhe miellin
pjesë pjesë duke e trazuar fillimisht me një lugë druri e më pas me dorë,
derisa brumi të mblidhet e t’ju lëjë me duar të pastra. Do përfitoni një brumë
shumë të butë dhe sipas këshillave të Ejonës ky brum duhet të rrijë i mbledhur
me një qese gatimi në frigorifer për të paktën 30 minuta. Një sekret Bonbon këtu 🤗, unë herën e parë i
ndoqa siç dhe ju thashë me përpikmëri këshillat, herën e dytë për të përfituar kohë
nuk e futa fare brumin në frigorifer dhe rezultati ishte i njëjtë 🤗.
Ndaj lyejmë këndin e punës me pak miell dhe hapim brumin me një pec në
formë rrethore pak më të madh sesa diametri i tavës ku do pjekim kishin. E ç‘pojmë
gjithë masën e brumit me pirunë dhe e vendosim brumin për të pjekur në 180 gradë
fillimisht për 10-15 minuta.
Ndërkohë që brumin e kemi futur në furrë fillojmë përgatitjen e mbushjes.
Pastrojmë preshin. I grijmë dhe i vendosim në një tenxhere gatimi ku kemi shtuar
gjalpin dhe vajin. I kaurdisim për disa minuta derisa preshi të ulë vëllimin
dhe të fillojë të zbutet. E heqim tenxheren mënjanë dhe e lëmë pak masën të ftohet
përpara sesa të hedhim vezët.
Meqë unë kisha në shtëpi pana dhe rikota të hapura, vendosa t’i përdor
në vend të 1 gotë qumësht dhe djathit të bardhë që kishte përdorur Ejona. Mund
t’ju them që të dyja versionet dalin super të shijshme.
Kur masa e preshit është ftohur pak shtojmë aty vezët, kripën, piperin,
arrën moskat, panën dhe gjizën. Masa është gati për tu shtuar tek tava që e kemi
lënë në furrë për 15 minuta.
Pjekim në 180 gradë derisa masa të marrë ngjyrë të artë (rreth 35
minuta). E lëmë të ftohet përpara sesa ta servirim. Ju bëftë mirë.
No comments
Post a Comment