Wednesday, July 24, 2019

Tartë me Qershi dhe Gjizë pa Kripë


Në fakt është tartë me ricotta, gjizë e ëmbël italiane, por mund ta zëvendësoni dhe me gjizë pa kripë vendi, jo të athët 😍.Pas këtij shpjegimi ju them mirë se ju gjej, pas një periudhe të ngarkuar jo vetëm me punë, por vera është dhe stina ku mungon dëshira për të prodhuar receta dhe gjëra të reja. Ama dy receta i kam gati. Sot po ndaj me ju këtë tartën, meqë qershitë jane ende në qarkullim.
Recetën e pashë tek e famshja Benedetta dhe aryesja e frymëzimit ishte baza e tartës me kakao. Ok e dimë që tartat me baza kakao shkojnë shumë me dardhën si frut, por me qershinë nuk e kisha provuar ndonjëherë. Ja vlejti vërtet. Tortën e shijuan dhe 3 miq jashtë familjes që ju la një shije mjaft të mirë dhe e vlerësuan si një ëmbëlsirë “të lehtë“ tamam për stinën e verës. E di, e di që nuk ka ëmbëlsira të lehta, por biem dakort që disa ëmbëlsira janë më të lehta se të tjerat 😜.

Përbërësit për brumin Frola me kakao:
1 kokër vezë
100 gr sheqer (kaf përdora unë)
15 gr ose 2 lugë gjelle kakao të hidhur
50 gr ose një filxhan kafe qumësht
80 gr ose 1 e ½  filxhan kafe vaj
300 gr miell më përafërsi
½ pakete ose 1 lugë çaji pluhur pjekës


Përbërësit për mbushjen:
250 gr ricotta
2 lugë gjelle sheqer pluhur
Lëkura e grirë e 1 limoni (e domosdoshme)
Qershi sa të zbukurojmë tortën


Përgatitja:
Përgatisim brumin frola duke i hedhur të gjithë përbërësit në një enë dhe përziejmë me dorë derisa brumi të mblidhet mirë dhe të na lërë duar të pastra. Proçesi do zgjasë veç dy minuta 🤗. Ky brumë nuk ka nevojë të rrijë disa minuta në qetësi është gati për tu hapur me pec 😚. Hedhim pak miell mbi tavolinën e punës dhe hapim petën me një trashësi 5-7mm. Mua më doli brumë dhe për një tavë të vogël, kështu pse jo të mos bëjmë 2 tava 😋.
  






Vijojmë me mbushjen. Në një enë shtojmë ricotta, sheqerin dhe lëkurën e limonit dhe kremi që do shtrohet sipër tartës është gati.
Proçesi më “acarues” në përgatijen e kësaj ëmbëlsirë është pastrimi dhe ndarja e qershive mes për mes. Por do ja vlejë mundimi, më besoni 🤗.
Fillimisht shtroni kremin e rikotës mbi tartë dhe më pas rendisni sipër qershitë sipas dëshirës.







Piqeni në 180 gradë për 40 minuta. 

Lërëni pak të ftohet dhe pluhuroseni sipër me sheqer pluhur. T’ju bëjë mirë 😋🙏❤








SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig