Ditën e dielë isha ngritur e vendosur për të gatuar pasta të përgatitur
vet, në kushte shtëpie. Shkas për këtë ishte dhe semolina e mbetur, e blerë për
gatimin e melomakaronave. Kisha dëgjuar shpesh nga Elona e Redit, që pasta më e
shijshme dhe e kollajtë në kushte shtëpie, ku gjithçka realizohet me dorë është
me miell semolina. Nëse receta bazike ju sugjeron një kokër mesatare vezë, për
100 gr miell, Elona ashtu si dhe Mami Lika përdornin 5 kokrra vezë, për 1 kg
miell. Këto përmasa rastësisht i dëgjova po atë ditë dhe nga zonjat e Voskopojës
në përgatitjen e petkave, ndaj dhe nën këshillimin e Elonës me eksperiencë disa
vjeçare në Itali dhe mami Likës që i ka bërë “që në kohët” këto gatime 😛, ju futa gatimit të
pastës së bërë në shtëpi, e gjitha “handmade” e gatuar me dorë, me asnjë
makineri apo pajisje.
Mos u trembni kur e theksoj fjalën e gatuar e tëra me dorë sepse vështirësia
në përgatijen e kësaj paste është mesatare për dikë fillestar në kuzhinë. Për
mamat si unë është më lehtë se të hapësh petë për byrekun 😊. I gjithë proçesi
ngjall shumë gjallëri dhe kërshëri në familje, ndaj provoni t’i gatuani këto për
familjen tuaj në një fundjavë. Kostoja për 4 persona është më pak se një pjata
pasta në restorant 🤗.
Përbërësit e pastës për 4-5 persona:
600 gr miell semolina
3 kokrra vezë
Ujë
Për salcën:
700 ml salcë domate e thjeshtë
4 lugë gjelle vaj ulliri
3-4 thelpinj hudhër
2 lugë çaji pesto me borzilok (ose borzilok i freskët)
½ lugë çaji sheqer
Kripë/Piper
Djath parmixhano i grirë
Përgatitja:
Hedhim miellin në një enë, shtojmë vezët dhe punojmë me duar. Filloni
shtoni pak ujë derisa brumi të mblidhet i tëri jo i fortë, por si për brumë
byreku. Punojmë masën për 3-4 minuta mbi bankon e punës. Mbledhim brumin me
membrane dhe e lëmë për të paktën 1 orë të pushojë.
Fillojmë me përgatitjen e salcës. Në një tenxhere hedhim vajin e
ullirit dhe shtojmë thelpinjtë e hudhrës të shtupur me dorë. Kur hudhra lëshon
aromën e saj shtojmë peston, salcën, sheqerin, kripë, piper. Ndërkohë që salca
zien për 3-4 minuta, shtojmë dhe një filxhan kafe ujë. Rregullojmë shijen me
kripë sipas nevojës.
Shënim: Nëse keni borzilok të freskët, nuk keni
nevojë të shtoni pesto. Unë përdor pesto sa herë në mungëse të borzilokut të
freskët.
Salca është gati.
Fillojmë me përgatitjen e pastës. Në tavolinën e punës mbajmë pak
miell semolina që do spërkasim gjatë gjithë kohës që do hapim dhe presim petët.
Ndajmë brumin në disa pjesë dhe hapim me to petë pakëz më të trasha se petët e
byrekut. I palosim petët si në foto dhe në çdo palosje spërkatim me pak miell
semolina. Më pas i presim në rripa sipas trashësisë të dëshiruar. I hapim
rripat e prerë dhe ju ku e kemi gati pastën e bërë në shtëpi 🤗. I rregullojmë petët
mbi një pecetë.
Kjo pastë konsumohet menjëherë. Nëse do duhet ta ruajmë për përdorim të
mëvonshëm do duhet ti thajmë petët sa të bëhen krokante.
Pasi
mbarojmë më gjithë prerjen e petëve, vendosim një tenxhere me ujë e kripë në
zjarr. Pjesë pjesë i hedhim makaronat në tenxhere dhe i lëmë në ujë jo më shumë
se 2-3 minuta, do shihni që petët do fryhen pakëz. I nxjerrim me një kullesë
dhe i kalojmë direkt tek salca e përgatitur. Pasi kemi kaluar gjithë pastën tek
salca, shtojmë një filxhan të vogël nga lëngu ku zjem pastën dhe e vendosim
tenxheren në zjarr për 2 minuta derisa pasta të lidhet me salcën.
Servirim menjëherë duke grirë sipër djath sipas dëshirës. Më besoni
kur ju them që nuk do pendoheni për gjithë mundin. Shija është e mrekullueshme.
Ju bëftë mirë.
No comments
Post a Comment