Në fillim të muajit Mars, Nevila, autore e blogut të ushqimit Bake My Day Happy e frymëzuar nga komuniteti BGB (Bloggers gonna Blog) na kërkoi që unë,
Bonbon Taste dhe Mandarina të postonim nga një recetë tonën në blogun e saj.
Ideja ishte e re dhe ne pranuam me kusht që dhe Nevila të vinte me një recetë të saj në blogjet
tona (nëse mund ti quaj blogje 😍)
Për t’ju drejtuar lexuesve të Bake My Day Happy më qëlloi rastësisht të
përzgjidhja një recetë që padyshim mban vulën Bonbon Taste, se është e tëra e
krijuar nga unë, ato krijime që ndodhin në 11 të darkës, kur ti i thua vetes do
çohem patjetër të bëj një kek, me çfarë të më gjendet në shtëpi. Ky është
rasti.
Unë “me zor” e pëlqej kekun me kakao për dy arsye, e para sepse duhet
të kem kakao cilësorë që ta bëj një kek
të tillë dhe së dyti nga që asgjë nuk ka më mirë se një kek më çokollatë,
preferoj të bëj më shpesh ketë të dytin.
Por ndonjëherë këto gatimet e orëve të vona nga hiçi dalin shumë të
mira 🤗dhe këtë e vërtetova të nesërmen kur keku vazhdonte të ishte i butë dhe mjaft
aromatik. Ndaj u ula të shkruaj përbërësit që ta ribëja.
Në familjen tonë
historikisht sa herë bëhet keku me karrotë që është specialiteti i familjes tonë,
bëhet dhe një kek më çokollatë që shoqëron kekun me karrotë. Tashmë vendin e
kekut me çokollatë e zuri keku me kakao dhe portokalle i Bonbon 😉.
Kakaon që përdor në shtëpi e blej tek Neranxi. Derimë tani më ka
rezultuar kakaoja më e mirë se ajo që gjej në supërmarkete, e errët dhe
“bitter” siç duhet, ndaj do ju sugjeroja të përdorni këtë kakao, të paktën për
recetën time (vetëm nëse keni një cilësi
akoma më të mirë në shtëpi). Nuk kam ndonjë preferencë të madhe ndaj
dyqanit në fjalë, por disa produkte ende i marrë aty.
Receta më poshtë, shoqëruar me fotot përkatëse.
Përbërësit:
80 gr gjalp
100 gr sheqer
2 vezë
4 lugë gjelle kakao
1 lugë çaji nescafe
2 lugë gjelle lëkurë portokalli i grirë
100 ml qumësht
1 lugë gjelle uthull molle
1 pako pluhur pjekës
250 gr miell
50 gr copa të vogla çokollatë
5-6 copë luleshtrydhe për dekor (opsionale)
Përgatitja:
Në një enë vendosim gjalpin dhe e tresim atë në mikrovalë. Me rrahës elektrik, ose rrahës të thjeshtë filloni të rrihni gjalpin e shkrirë me sheqerin. Shtoni vezët një nga një, qumështin, kakaon, neskafen (e cila ndihmon në forcimin e shijes së kakaos), uthullën e mollës (e cila do ndihmojë që keku të jetë edhe më i shkrifët. Mos kini merak se aroma e uthullës nuk do ndihet fare pas pjekjes), miellin dhe pluhurin pjekës.
Në fund shtojmë lëkurat e portokallit. Unë sot i shtova lëkurë portokalli të karamelizuar dhe të tharë, por ju mund t’i shtoni lëkurat e grira të dy portokalleve. Më besoni që diferenca nga një kek i zakonshëm me kakao është dhe aroma e portokallit.
Ndërkohë që shtoni përbërësit një nga një do vazhdoni dhe përzierjen e
tyre. Masa është gati. Hidheni masën e kekut në një tepsi të lyer më parë me
gjalp dhe hidhni sipër copat e vogla të çokollatës si në foto.
Vendoseni kekun për të pjekur në furrë të ngrohur më parë, për 20-25
minuta. Do e kuptoni se keku do fillojë të cahet pak në sipërfaqe. Dekorojeni
me luleshtrydhe apo pluhur sheqeri sipas dëshirës.
Më poshtë shijoni fotot e kekut, bashke më kekun me karrotë 🤗.
Ju bëftë mirë.
Kush
do të provojë shijet BonBon më gjen në:
Instagram: Bonbon Taste
Facebook Page: https://www.facebook.com/BonBonTaste
Faleminderit
No comments
Post a Comment