Sunday, March 11, 2018

Pulë me patate dhe trumzë

Nuk besoj se ka familje shqiptare që shumicën e të dielave të tyre të mos gatuajnë një tavë me pulë. Nëse do e linim në zgjedhje të fëmijëve do ishte çdo të dielë ose me patate ose me oriz, duke e bërë dhe pak rutinë shijen e të dielës, por kur vendosim të shtojmë ca erëza apo përbërës këtij gatimi, përtej tradicionales, rutina e së dielës ka aromë shumë të mirë. Po të shtojmë këtu që këtë tavë historikisht në shtëpinë tonë e gatuan Bledi dhe që recetën ja ka dhënë shoku i tij më i ngushtë që jeton në Angli, Tani, dreka e të dielës nuk ka ku të shkojë më e veçantë.
Jo vetëm ne femrat ndajmë receta mes nesh,  edhe çunat që e shijojnë ushqimin dhe e vlerësojnë një gatim të mirë ndajnë receta mes njëri tjetrit. Kjo recetë është rasti 🤗
E veçanta e kësaj tave janë dy përbërës, qepa dhe trumza. Përbërës kaq të thjeshtë në dukje, por që vërtet e çojnë tavën me pulë dhe patate, në një tjetër nivel aromash dhe shije. Qepa në këtë gatim tretet duke lëshuar shijet e saj të mira dhe në këtë mënyrë fëmijët tanë e marrin pa e kuptuar vlerën e saj 😉. Trumzën e gjeni të thatë në sektorin e erëzave, lehtësisht në market. Bëhuni gati për të dielën tuaj me këtë recetë ndryshe 🤗.

Përbërësit:
1 pulë
1.2 kg patate
3-4 karrota
1 kokërr qepë mesatare
1 lugë gjelle gjalp
Vaj ulliri
Trumzë, piper
Kripë

Përgatitja:
Në këtë gatim mund ta pjekësh pulën e plotë, por këtë herë e ndamë përgjysëm . Vendosim pulën në një tenxhere në flakë mesatare dhe e lëmë të thajë lëngjet e veta. Mbi tenxhere vendosim kapak që ta zgjasim më shumë këtë proçes duke siguruar që shija e pulës mbetet brenda dhe mishi i saj gatuhet edhe më shumë.
Qërojmë patatet, i lajmë dhe i presim në copa si në foto. I vendosim patatet për të zjerë në ujë me kripë. Patatet duhet të ziejnë aq sa piruni mund të futet kollaj në to, jo për tu bërë pure.
Kullojmë patatet kur ato të jenë gati. I shtojmë mbi tavën për pjekje. Hedhim mbi to karrotat e grira, qepën e grirë, trumzën, kripë, piper, vaj ulliri dhe përziejmë me shumë dashuri me duart tona 😀, në mënyrë që përbërësit të përhapen njëtrajtësisht.



Vendosim pulën mbi perime, hedhim copëza të vogla gjalpi mbi përbërësit dhe gjysëm gote të vogël me ujë.

Mbulojmë gjithë tepsinë me letër alumini dhe e vendosim kështu në furrë, në temperaturë 220 gradë për të paktën 30 minuta. Më pas e heqim letrën e aluminit dhe lëmë që perimet me pulën të marrin ngjyrë të artë. Tava është gati.



Lëreni pak të ftohet përpara sesa ta servirni. Ju bëftë mirë.




SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig