Wednesday, September 11, 2019

Oriz i Skuqur me Pulë Terijaki – Chicken Teriyaki Fried Rice


Orizi i skuqur, i cili është një gatim kinëz, nuk është tamam “i skuqur”, por oriz i gatuar dmth zjerë veçmas dhe më pas “skuqur” për disa minuta në tiganin e thellë “wok”, bashkë me perime, vezë të skuqur, mish ose peshk dhe dhënë shije me salcat më tipike aziatike si Soy dhe Teriyaki.
Nëse të gjithë e njohim dhe e kemi përdorur apo provuar salcën soja, terijaki mund të quhet një derivat i salcës soja sepse mund ta përgatisim dhe në kushte shtëpie, nëse nuk e gjejmë në dyqan.
Mjaft të kemi salcë soja në shtëpi, mjalt, xhinxher pluhur, sheqer kafë, pluhur hudhër, ujë dhe për pak minuta zjerje të këtyre dhe një trashje të salcës me pak niseshte në fund përfitojmë salcën terijaki. Unë e gjeta gati salcën dhe jam e bindur që dhe ju do e gjeni, me pamjen e shishes që do ju tregoj me foto. 🤗
Kur moti fillon e freskohet sikur të ngrihet mendja për këto gatimet me shumë përbërës dhe me aroma pak të veçanta nga gatimet tona të përditshme. Për më tepër që gatimet aziatike mbeten gjithmonë të shëndetshme. Për Fried Rice që do ju tregoj sot më është dashur të përdor vetëm një lugë gjelle gjalp (në mungesë të vajit të susamit) dhe aspak kripë sepse kripë kanë mjaftueshëm salcat e përmendura.
Këtë recetë e gatova me aq dëshirë dhe “neps” sa do e kuptoni dhe nga fotot që kam qenë në formë në fundjavë hahah 🤪.
Se harrova, përse më shkoi mendja të gatuaja këtë recetë? Sepse kisha mbi 2 muaj që kisha blerë oriz për sushi dhe nuk isha ende gati të provoja sushit të bërë në shtëpi. Oriz i skuqur bëhet me çdo oriz që ju gjendet, integral, i bardhë, kokërrmadh apo kokërrgjatë, mjaft të jetë i zjer më parë 😍.


Përbërësit:
500 gr oriz, unë zgjodha orizin për sushi se ai mu gjend në shtëpi
1 gjoks pule (dhe 2 nuk ju gjen qameti 🤪)
3 vezë fshati
3-4 karrota
2-3 lule brokoli mesatare
½ qepë e kuqe
1 lugë gjelle hudhër e shtypur
1 filxhan kafe salcë terijaki
1 filxhan kafe salcë soja
1 lugë uthull balsamike e bardhë (opsionale)
1 lugë gjelle gjalp
Për ti zbukuruar sipër dhe dhënë shije:
Susam
Bishta qepe jeshile në copa të vogla


  


Përgatitja:

Fillimisht marinojmë mishin e pulës i cili do të rri në qetësi të paktën 1 orë. Ndajmë mishin në copa, shtojmë salcën terijaki dhe e fusim në frigorifer 1 orë. 




Hapi i dytë është përgatija e orizit. Meqë unë kisha një oriz pak të veçantë, po ju tregoj hapat si e gatova sipas përkthimit që do i bëj paketimit 😍.


1.       Shpëlajmë mirë orizin
2.       500 gr oriz i shtojmë 625ml ujë. E vendosim për të zjerë
3.     Kur orizi ka pirë gjithë ujin, vendosim kapak, ulim flakën në minimum dhe e gatuajmë dhe për 10 minuta të tjera
4.       Më pas e lëmë në qetësi për 10 minuta. Nuk kam shtuar aspak kripë veç ujit.

 

Vijojmë me skuqjen e pulës në një tigan që nuk ngjit pak të thellë nëse nuk keni “wok“. Nuk shtojmë asnjë lloj yndyre. Pasi pula është gatuar e heqim nga tigani dhe në të njëjtën enë shtojmë qepën e grirë në kubikë bashkë me karrotën. Vendosim kapak dhe e lëmë të gatuhet kështu, duke e trazuar herë pas here të paktën 5-6 minuta. Përsëri nuk kemi shtuar yndyrë. Kur qepa dhe karrota janë zbutur disi, shtojmë lulet e brokolit. I gatuajmë me kapak për 2 minuta të tjera perimet.
Rrahim vezët dhe pasi bëjmë vend në tigan si në foto, i trazojmë duke siguruar skuqjen e njëtrajtshme të vezës. Përziejmë vezët bashkë me perimet.













Shtojmë pulën, orizin e zjerë në tigan dhe sipas radhës salcën soja, gjalpin, pak uthull balsamik po patët (opsionale) dhe orizi i skuqur është gati pas një trazimi të mirë të gjithë përbërësve.





  • Servirni menjëherë me fara susami dhe bishta qepë të grira imët. Ju bëftë mirë dhe #stayhappy and #staycool ❤🙏🤗















SHARE:

Tuesday, September 3, 2019

Trahana sipas mami Likës



Pas 2 vitesh që mami Lika ka fotografuar vet proçesin e përgatitjes së trahanasë dhe pasi më në fund i mora dhe një rrëfim për të kuptuar unë e para proçesin (Videon do e hedh në IGTV në Instagram), i erdhi dita postimit të recetës 😍.
Kush ka provuar trahananë nga duart e mamit nuk gjen dot qasje me trahananë e blerë. Momenti i përgatitjes së saj është gati si një festim në gjithë shkallën e mamit pasi komshiet e bëjnë njëherësh dhe ndihmojnë njera tjetrën. Është ajo periudhë e vitit ku mami Lika thotë nuk lëviz dot nga shtëpia se do zë trahananë, do shkërmoq dhe do thaj trahananë. Është aroma e trahanasë që mbush shtëpinë dhe ti e ndjen që ora ka mbetur në vend dhe ti ndihesh prapë fëmijë. Është momenti i ndarjes së trahanasë me njerëzit e tu të dashur. Një ushqim aq i thjeshtë, një vakt mëngjesor apo në darkë, që mbledh të gjithë rreth tavolinës për ta shijuar ashtu të ngrohtë me gjalpë të tretur, spec të kuq pluhur dhe djath. Ky është version ynë i trahanasë që është shija e babit tim Vasilit. Dhe fëmijët e mi e hanë si unë, mbi trahana ne shtojmë gjalpë të përvëluar, aromatizuar me piper të kuq pluhur dhe djath të bardhë. Lumturi shumë e madhe kur shija ecën ndër breza.

Shënim: Sasinë mund ta zvogëloni ose zmadhoni sipas dëshirës tuaj. Këto janë sasia e përbërësve që përdor mami Lika. Të gjitha fotot në këtë postim janë bërë këtu e dy vjet më parë, me fotografe Denisën që e falenderoj shumë qe mes angazhimit me punët dhe fëmijët e saj gjente kohë t'i përgjigjej kërkesave të mia nga Tirana për të fotografuar trahananë në proçese të ndryshme. Denisa ka bërë dhe disa video që do i ndaj në Insta Story.

Përbërësit:
20 kg miell i sapo bluar
10 kg qumësht lope që zihet i tëri kos
1 kg gjalp i tretur (siç bëjmë për bakllavanë)
1,5 kg kripë

Përgatitja:
Për t’ja u bërë më të thjeshtë, proçesin e përgatitjes së trahanasë do e ndajë në katër faza.

Faza e parë:
Kjo është faza e punimit të brumit e cila fillon 3 ditë para ku qumështin e kemi zënë kos dhe e lëmë 3 ditë të thartohet. Mami Lika thotë që kosi të thartohet ashtu siç e duam për trahananë i shtojmë kripë (nga sasia që keni tek përbërësit). Kripa ndihmon që kosi të thartohet më shpejt dhe siç duhet.
Meqë kemi sasi të madhe mielli i ndajmë të gjithë përbërësit në 4 apo 5 porcione të barabarta (pra 4 apo 5 tava në mes të shtëpisë) dhe fillojmë punojmë brumin. Brumi duhet të jetë një brumë i fortë, aspak i butë ose i ngjitshëm. Pasi kemi përgatitur gjithë sasitë e brumit në një thes bambuku që mami Lika e ka kastile për këtë punë vendosim topat e brumit njëri mbi tjetrin duke i shtypur me dorë. Thesin e pambukut e vendosim mbi banak ose siç bën mami Lika e cila merr një tepsi e kthen përmbys në dysheme dhe mbi të vë thesin 🤗.


Hedhim kripën.




 Shtojmë gjalpin

Shtojmë kosin.









Përziejmë.













Fusim brumin në thes pambuku.










Faza e dytë:
Në këto kushte trahanaja do rri 7 ditë. Çdo ditë në mëngjes do e shtypni brumin fort me duar (sipër thesit) dhe do e ktheni brumin nga ana tjetër kur ta vendosni mbi banak ose tepsi në mënyrë që sipërfaqja e brumit që rri në krye mos të thahet nga temperaturat e larta të vapës. Pra çdo ditë shtyp brumin me dorë dhe kthe nga ana tjetër për ta mbështetur thesin.

Faza e tretë:
Pas 7 ditësh e nxjerrim brumin, e copëtojmë si në foto dhe e hapim për gjysëm dite mbi çarcaf apo mbulesë bambuku. Proçesi që vjen më pas është proçesi i kalimit të trahanasë në shoshë (një lloj site me brima më të mëdha se sita dhe më të ashpra. Atëherë proçesi fillon me një person (komshie në rastin e mami Likës) që fillon e thërrmon copat e trahanasë si fillim mbi pecetën e pambukut dhe këto copëza kalojnë në shosh duke siguruar në këtë mënyrë dëndësinë e dëshiruar të kokrrës së trahanasë.









Faza e katërt:


Pasi trahanaja ka kaluar e gjitha në proçesin e sitjes me shosh, e hapim në një dhomë apo vend të sigurtë për 2 javë që ajo të thahet plotësisht dhe në këtë mënyrë evitojmë që të zëjë myk. Pas 2 javësh trahanaja është gati për tu përdorur, shpërndarë dhe për tu shijuar. Ruajeni trahananë tuaj në qese pambuku në një vend të freskët dhe të errët.

Dhoma ime tek prindërit në muajin Gusht 2017.








Dhoma ime tek prindërit në muajin Gusht 2019 😍🤗.





Sesi e gatuajme ne trahananë do ja u tregoj 1 ditë në Insta Story.
Përqafime nga unë dhe mami Lika. ❤❤❤🙏🙏🙏









SHARE:
Blogger Template Created by pipdig