E kuptoj që është pak vonë për të
postuar recetën e turlisë në fund të beharit, por kam arsyet e mia 😍.
E para dhe më e rëndësishmja është që unë turlinë e shijoj më shumë kur sapo
fillojnë perimet e verës dhe janë pak me çmime të kripura dhe në fund të
sezonit. Në zemër të stinës së verës unë nuk para e gatuaj sepse është shumë vap
të rrish mbi furnelë 😍.
Aryeja e dytë është që për të qënë
koherente me gatimet stinore këto foto kanë mbi 1 muaj e gjysëm që janë bërë, por
vetëm sot gjeta kohën për tu ulur dhe postuar.
Receta që ju sjell sot është pa mish sepse perimet më kishin ardhur nga fshati dhe doja të shijoja shijen e perimeve. Për mua një turli pa mish që shijon me “çapa buke” është ta gatuash atë duke i skuqur lehtësisht perimet një nga një. Unë përdora tiganin që nuk ngjit nga Tescoma Albania dhe me shumë pak vaj skuqa perimet veç e veç.
Ndiqni recetën në vijim dhe shijoni
turlin perfekte 😘
Përbërësit:
Bamje
Patëllxhanë
Speca
Kunguj
Karrotë
Patate
Domate 3-4
kokrra
1 qepë
1 grusht me
thelpinj hudhre
Vaj ulliri
Kripë, piper,
spec të kuq djegës (opsionale)
Përgatitja:
Sasitë e perimeve më sipër i shtoni dhe pakësoni si të doni. Nëse turlinë do e hanë dhe fëmijët unë i shtoj disa kokrra patate duke qenë se është e vetmja perime që fëmijët e hanë pa naze nga turlia.
I pastrojmë perimet dhe një nga një fillojmë i skuqim me 1 lugë gjelle vaj ulliri në një tigan që nuk ngjit.
Pasi kemi mbaruar punë me të
gjitha perimet grijmë qepën dhe fillojmë skuqjen e saj. Kur qepa të jetë zverdhur,
shtojmë domatet e grira, hudhrën, një lugë të vogël sheqer dhe rregullojmë në
fund me kripë. E lëmë salcën të ziejë derisa domatja fillon e bëhet kremoze.
E shtojmë përgatijen me domate mbi perimet që kemi shtruar në tavë. Shtojmë dhe 1 gotë të vogël ujë tek tigani ku kishim salcën, rregullojmë me kripë ujin dhe e shtojmë mbi perimet. Ujin e shtojmë sepse kemi shtuar patate dhe karrota tek perimet.
Nëse do e bëni turlinë pa patate, mjaftohuni vetëm me lëngun që nxjerrin domatet, pa nevojë t’i shtoni ujë. Rregullojmë turlinë me piper dhe spec djegës (opsionale) dhe pjekim në furrë në 200 gradë për rreth 45 minuta ose derisa perimet të zbuten.
Për t’ja u bërë pak më joshëse pjatën
fëmijëve unë e servira për ta me gjoks pule, ndërsa vet e shijova me një copë të
madhe djathi 😍.
Ju bëftë mirë 💓
No comments
Post a Comment