Pa hyrë mirë muaji dhjetor në shtëpinë tonë ka vetëm aromë Krishtlindjesh. Megjithëse kjo periudhë e vitit është si një periudhë “çoroditje” mes planesh për festën e fundvitit, me bërje bilancesh sesi na iku një vit i tërë, me ide të reja për t’i realizuar pas 1 janarit :), me blerje dhuratash, elektroshtëpiakesh, perde të reja apo divanë të rinj :), kur vjen puna tek gatimet dhe atmosfera në shtëpi të gjithë jemi dakort, që nuk ka si muaji dhjetor dhe festat e fundvitit. Ajo që unë betohem që nuk do bëj më çdo fund viti, janë blerjet e tepruara, sikur në datën 1 Janar nuk do ekzistojnë më dyqane. Sot në 8 dhjetor ende nuk kam bërë asnjë blerje për shtëpinë, madje ende nuk kam ide për dhurata. Ca kartolina me shkrim dore nuk do ishin keq, si fenomen në zhdukje :). Këshilla ime këtu, për veten dhe për ju është bëni blerje të zgjuara, mos shpenzoni kot vetëm se ka “ulje çmimesh” :). Dhurata më e bukur që më ka ardhur vjet, ka qenë një CD e përgatitur me shumë dashuri nga kushurira ime Odeta, me këngët më të njohura të Krishtlindjes, tingujt e të cilave mbushnin shtëpinë me atmosferë të vërtetë festash.
Le të flasim për ushqimin tani dhe më konkretisht për një pije :). Verën e ngrohtë ose sic njihet “mulled wine”. Kur e provoni për herë të parë këtë verë do kërkoni të dini patjetër recetën. Unë e kam provuar para 3 vjetësh në Francë dhe ka 3 vjet që e bëj çdo vit në shtëpinë time. Kur e kam provuar vjet në Tiranë, ishte shumë larg shijes së asaj që do ju tregoj sot :).
Ka shumë receta për mulled wine të cilat ndryshojnë vetëm nga kombinimi erëzave. Unë kam zgjedhur Jamie Oliver “Mulled Wine”, pasi është një video që  më argëton shumë.

Përbërësit
1e ½ litër verë ose 2 shishe
200 gr sheqer
6 copë yje Anise
10 copë karafila
2 shkopinjë kanelle
1 lugë fara kardamome
½ lugë çaji arrë moskat
Lëkura e një kokër portokallë bashkë me lëngun
Lëkura e një limoni
Përgatitja
Mos u trembni  nga erëzat dhe emrat e tyre. I mbani shënim siç ja u kam shkruar dhe i gjeni të gjitha tek Neranxi :). Hedhim erëzat, sheqerin, lëkurat, lëngun e një portokalli dhe 300 ml verë në tenxhere. Lëkurat e portokallit dhe limonit, siç thotë dhe Jamie “peel and twist”, i qëroni dhe përdridhni me dorë brenda në tenxherë që të nxjerrin esencën e tyre.
Vendosim tenxheren në zjarr dhe lëmë të ziejë për 7-8 minuta sa të krijohet një masë si shurup. Më pas shtojmë gjithë verën e mbetur 1litër e 200 ml ose 1 shishe e gjys dhe e vendosim në zjarr derisa të marrë valë.
Servirim, patjetër të ngrohtë :) me të gjithë përbërësit brenda, mund të hiqni vetëm lëkurat e agrumeve. Ju bëftë mirë dhe Gëzuar Festat :)

Në përgatitjen e lazanjës në shtëpinë tonë, unë nuk ndjek një recetë të lexuar apo parë në ndonjë video gatimi. Thjesht kam përvetësuar stilin e mamit dhe këshillat që kam marrë nga kunata ime në itali. Në përgatitjen e lazanjës unë filloj me përgatitjen e kimës dhe më pas me përgatitjen e beshamelit. Të dyja këto masa përfundojnë gatimin njëkohësisht dhe janë gati për shtrim. Me këtë ritëm përgatitje dhe pjekje, lazanja në shtëpinë tonë është gati për maksimumi 1 orë e 10 minuta. Nëse  ndiqni shpjegimin tim si më poshtë, as rrëmuje dhe as enë të hallakatura nuk do gjeni mbi banak, siç ndodh rëndom me përgatitjen e lazanjës :).

Përbërësit për kimën
300 gr mish të grirë
1 shishe salcë domate pure
1 degë selino
1 karrotë
½ lugë çaji kanellë
Piper
Arrë moskat e grirë

Përbërësit për beshamelin
4 lugë gjelle gjalp
4 lugë gjelle miell
1200 ml qumësht
Arrë moskat
1 pana 200 ml

Kripë

Përgatitja
Pastrojmë karrotën dhe selinon dhe presim në kubikë. Vendosim mishin në një tenxhere ku shtojmë një filxhan kafe me ujë dhe trazojmë sa mishi të marrë ngjyrë për 2-3 minuta.
Këshillë: nëse doni që mishi grirë mos t’ju mblidhet toptha toptha kur bëni kimanë, gjithmonë shtoni ujë kur gatuani mishin, pasi vaji i nxehtë e forcon mishin e grirë dhe e mbledh në topa, duke mos e lënë të shkrifët. Këtë ma ka mësuar tezja ime Arjeta dhe funksionon gjithmonë.

Shtojmë përimet e grira, kaurdisim 1 apo dy minuta përpara se të hedhim salcën. Shtojmë salcën. Shplani shishen mirë :) dhe shtojani masës. Rregulloni me kripë, piper, kanellë dhe arrë moskat dhe lëreni të ziejë në zjarr të avashët për 15 minuta.

Në një tenxhere shtojmë gjalpin derisa të shkrij. Hedhim miellin. Trazojmë derisa mielli të marrë pak ngjyrë. Heqim nga zjarri dhe lëmë 2 minuta në qetësi, përpara se të shtojmë qumështin e ftohtë. E hedhim qumështin avash avash dhe trazojmë pa e vënë në zjarr derisa të krijohet një masë kremoze.  E vendosim tenxheren e beshamelit në zjarr, shtojmë sasine e mbetur të qumështit, rregullojmë më kripë dhe arrë moskat dhe e lëmë të ziejë duke e trazuar herë pas here.
Kur beshameli të jetë gati, i hedhim një pako pana për gatim 200 ml. Këtë ma ka mësuar kunata që jeton në Itali dhe vërtet që i jep beshamelit një kremozitet, qëndrueshmeri dhe ngjyrë shumë të bukur gjatë pjekjes.



Fillojmë me shtrimin e lazanjës. Siç më ka mësuar mami Lika gjithmonë lyejmë fundin e tepsisë më pak kimë dhe beshamel. Këto përmasa mua me lejojnë të krijoj tre shtresa me pete lazanje. Në çdo shtresë që unë hedh kima, hedh dhe disa lugë beshamelë.


Tava është gati, hedhim dhe djathin e grirë sipër. Pjekim në mes të furrës, në 200 gradë për 30 minutë ose sa të marrë ngjyrën e bukur.
Lazanja duhet të rri të paktën 20 minuta kur del nga furra, përpara se ta servirim. Ju bëftë mirë.









Kur çunat shkojë tek Mira, përveshin mëngët dhe fillojnë të shfletojnë librat e recetave të Mirës, për të gjetur ato ëmbëlsira që nuk i kanë provuar ende. Çfarëdo recete që çunat zgjedhin që Mira të gatuajë për ta, waffles janë aty, gati për starter :).
Ndaj dhe zgjodhëm t’i sjellim waffles nga kuzhina e Mirës, e cila na i përgatit gjithë dashuri, sa herë shkojmë për vizitë. Waffles kanë një thekëse të veçantë ku piqen apo “theken”. Pa këtë thekëse mos e merrni mundimin t’i gatuani në shtëpitë tuaja ;). Sot, një pajisje e tillë është e kollajtë për tu gjetur dhe me çmim të përballueshëm.

Përbërësit
2 filxhanë çaji miell
1 lugë çaji kripë
2 lugë çaji sheqer
2 vezë
1 e ½ filxhan çaji qumësht
1/3 filxhan çaji gjalp i shkirë
1 lugë gjelle pluhur pjekës
Vanilje
Përgatitja
Me një mikser elektrik rrahim vezët me sheqerin, kripën, gjalpin, qumështin. Shtojmë miellin, pluhurin pjekës dhe vaniljen. Masa që krijohet është pak a shumë si brum petullash.
Ndërkohë kemi vënë për të ngrohur thekësen për waffles.
Mbajmë pranë vendit të punës një gotë me gjalpw të shkrirë dhe një furcë, për të lyer thekësen sa herë që do hedhim brumin e waffles.


Pjekim dhe servirim sipas dëshirës. Përbërësit që janë “me detyrim” për të shijuar waffles siç i do zakoni, janë nutela dhe akullorja :). Ju bëftë mirë.








Frikaseja është një gatim tipik për dimër. Në shtëpinë tonë mami na e ka gatuar që kur kemi qenë të vegjël. Frikaseja mund ta gatuhet me mish viçi të njomë, pulë fshati të freskët ose mish qingji, pasi gjithë shija e mirë i vjen më së shumti nga lëngu i mishit.
Kjo është një recetë për gjithë familjen. Hyn tek supat, por supat prej vërteti :). Unë e gatuaj shpesh gjatë dimrit dhe kur kemi frikase jam e qetë se dhe fëmijët janë të sistemuar me drekën. Është stres më vete kur ke fëmijë, të gatuash një pjatë që nuk e ha gjysma e familjes :).

Përbërësit për 5 veta
500 gr mish viçi
2 karota mesatare
2 patate mesatare
1 lugë gjalp

Për kremin
1 lugë gjalp
2 lugë miell
150 ml qumësht
1 kokër vezë
Kripë
Piper i zi
Piper i kuq
Majdanos
Përgatitja
Në tenxheren me presion hedhim një lugë gjalp, vaj dhe shtojmë mishin dhe perimet e grira. I trazojmë derisa të kaurdisen me njëra tjetrën.
Kur arrijmë këtë fazë, mbushim me ujë sa mishi të mbulohet dhe vendosim kapakun e tenxheres me presion.
Ndërkohë që zien mishi me perimet përgatisim kremin beshamel si zakonisht. Hedhim gjalpin në tenxhere, kur gjalpi shkrin, shtojmë miellin dhe trazojmë sa të marrë pakez ngjyrë. Hedhim një të kapur gishtash piper të kuq dhe e heqim nga zjarri tenxheren për 2 minuta përpara se t’i shtojmë qumështin e ftohtë në mënyrë që mos të na krijohen kokrra.
Vëmë mbi flakë dhe trazojmë beshamelin duke shtuar nga lëngu i mishit që ndërkohë ka zjerë derisa kremi të hollohet. Këtë masë e shtojmë tek tenxherja e presionit, rregullojmë me kripë e piper dhe e lëmë 2-3 minuta sa frikaseja të marrë valë. E heqim nga zjarri.
Rrahim një kokër vezë me pak lëng limon dhe ja shtojmë frikases, të paktën 5 minuta pasi është përfunduar për të evituar mpiksjen e vezës. Proçesi hedhjes së vezës në lëngun e nxehtë të frikasesë është si në çdo supë tjetër. Ju bëftë mirë.



Siç edhe e kam thënë ëmbëlsirat me mollë janë ndër më të preferuarat e gjysmës time :), kështu që gjatë stinës së dimrit gjej rastin t’i gatuaj receta të ndryshme. Byreku me mollë është një ëmbëlsirë që e preferojnë shumë dhe fëmijët, e cilësoj këtë fakt sepse çunave të mi copat e frutave në një kek, u duken si copat e perimeve në një supë :). I heqin mënjanë. Por tek kjo recetë e thjeshtë në përbërës, por shumë e mirë në shije ata i përlajnë copat e mollës :).
Mollët dhe limoni, përbërës kryesor të kësaj recete gjenden në çdo shtëpi në këtë stinë, kështu që mos përtoni dhe bëjeni. Kësaj ëmbëlsirë për një figurë më të mirë kur ju vijnë miq, i shkon shumë dhe pak akullore me vanilje sipër :).

Përbërësit
3 mollë mesatare
1 kokër limon
2 lugë gjelle sheqer kaf
1 lugë çaji kanellë
1 lugë gjelle gjalp

1 petë sfoliatë
Përgatitja
Qërojmë mollët dhe i presim në kubikë. Në një tenxhere apo tigan hedhim një lugë gjalpë, shtojmë mollët, lëngun e një limoni, sheqerin. Trazojmë dhë lëmë në zjarr 3-4 minuta derisa mollët të zbuten. Shtojmë kanellën dhe heqim mënjanë.
Në një tepsi shtrojmë letër gatimi. Mbi të vendosim petën sfoliat e cila ka arritur një zbutje në temperaturë normale (kur e blëjmë petën sfoliatë ajo është e ngrirë pasi rri në frigorifer. Mjaft ta blini petën 1 apo 2 orë përpara gatimit, në mënyrë që peta të zbutet, jo qulloset, në temperaturë ambjenti). Pluhurosim shtratin e petës me pak miell.
Presim anët e petës si në foto, nga të dyja anët në shirita 2 cm të trashë.
Hedhim masën me mollë në shtratin e petës dhe mbulojmë me shiritat nga të dyja anët.

Pjekim në 180 gradë, në mes të furrës për 25-30 minuta derisa peta të marrë ngjyrë të artë.
Pluhurosim me sheqer pluhur dhe presim pak përpara se ta servirim, pasi peta shumë e nxehtë mund të shkërmoqet. Ju bëftë mirë.





Blogger Template Created by pipdig