Saturday, October 29, 2016

Byrek me kungull i mami Likës


Byreku i mamit nuk krahasohet me asnjë ushqim tjetër, sidomos kur të vjen surprizë në shtëpi. Mamaja ime jeton në Fier dhe gati çdo fundjavë sjell gatimet e saj, sot me pretekstin për nipërit :). Por mua më duket sikur gjithë “nepset” e babit tim, meqë prej moshës ruhet të hajë ushqime kalorike gatuhen për të na ardhur ne surprizë :). Nuk vlen të theksohet këtu se nuk ka si byreku i bërë në shtëpi me petë te hapura vet. Unë nuk kam ditur të hap petë deri dy vite më parë. Më në fund vendosa ti afrohem “pecit” “okllaisë” të porositur dhe ky në Fier nga mami dhe të mësojë ;). Nuk mund të them që është e lehtë apo e vështirë, por vetëm ideja se po përgatis një byrek 100% shtëpie më jep hov ta bëj shpesh. Ka raste kur peta të shkrin në gojë, ka raste kur peta del e trashë dhe e fortë, ka raste që edhe më janë grisur, por pas kaq kohësh dhe unë kam fituar një stil timin të hollimit të petëve që hera herës i afrohet petëve që hap mami im, si byreku që do ju prezantoj sot. Nga gjithë burrat e familjes bashkëshorti, vëllai im dhe çunat kam marrë konfirmim që byrekun me kunguj e bëj thuajse si nëna Lika, madje madje ka qëlluar që ndonjëherë dhe ja kam kaluar nëna Likës :). Dhe kur ndodh që unë t’ja kaloj nëna Likës në një gatim specifik, këtë lajm do e marrin vesh gjithë gratë e familjes, tezet, kunata, kushurira të para që për mua janë motrat e mija. Nuk mund ta lë këtë rast të më iki :))). Shijoni byrekun e mamit më poshtë.

Përbërësit
1 kg kunguj të vegjël për skuqje
4 vëzë
1 gotë qumësht
2 lugë gjelle gjalp
2 lugë gjelle miell
Kripë, vaj 
400 gr miell për brumin e petëve


 
Përgatitja
Zëm brumin e byrekut dhe e lëm dhe këtë 30 minuta të vijë. Lajm kungujt, i pastrojmë nga maja dhe i grijmë në rende. I hedhim kripë dhe i lëm 10 minuta në qetësi. Kripa bën që kungulli të nxjerr gjithë ujin e tepërt. E shtrydhim të gjithë kungullin pjesë pjesë dhe e kalojmë në një tas tjetër.
Rrahim vezët, shtojmë dy luge miell dhe gotën e qumështit. Përziejmë këtë masë me kungujt e shtrydhur.



Fillojmë hapjen e petëve siç ja u kam shpjeguar tek byreku me qumësht. Krijojmë dy zemra për byrekun. Kur hedhim zemrën e dytë shtojmë dy lugë gjalp të shkrirë (po ta hedhim gjalpin mbi petë e forcon atë gjatë pjekjes). Shtojmë petën e fundit mbi byrek dhe me një furçë lyejm me vaj. 



 


Pjekim në fund të furrës, në 220 gradë, derisa byreku të marrë ngjyrë të artë. 


E nxjerrim byrekun kur të jetë pjekur dhe ky është moment që siç thotë nëna Lika, duhet ta kthejmë byrekun përmbys në një tavë tjetër të së njëjtës masë.
 Në këtë mënyra peta e sipërme që forcohet pak gjatë pjekjes zbutet dhe byreku merr një pamje të rregullt prej petëve të poshtme. E lëm për 10 minuta mbuluar me tepsi, pastaj e servirim. Ju bëftë mirë.





SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig