Wednesday, October 26, 2016

Patëllxhanë të mbushur

Në fillimet e mija si amvisë shtëpie, rrallë më ka qëlluar të bëja patëllxhanë të mbushur sepse nuk i qëlloja dot, patëllxhanë që herë shijonin si llastik, herë të hidhura, e here të pagatuara mirë.
Prej disa vitesh, mësova ti jap një val patëllxhanëve në ujë me kripë, dhe i lija disa minuta të kullonin ujin e tepërt. Në këtë mënyrë siguroja që patëllxhani gjatë pjekjes do ishte i butë dhe do ishte shkrirë me harxhën ose gjellën që i hedhim sipër.
Disa muaj më parë, një komshija ime që prej vitesh ka drejtuar një restorant të vogël më tregon sesi i përgatiste ajo vet. Ajo i pastron patëllxhanët nga bishtat, i vë në tavë duke i spërkatur shumë pak me vaj ulliri dhe kripë dhe i pjek për 30 minuta, në 200-220 gradë, sa më lart nxehtësisë, në furrë me ventilim. Më besoni kur ju them se kjo metodë, më ka bërë të provoj tavën me patëllxhanë më të mirë që kam bërë ndonjëherë nga duart e mija, dhe që është fiks si tava a mamit :).

Përbërësit për 4 persona
10 patëllxhanë
1 kg domate për gjellë
3-4 kokrra qepë
5-6 thelpij hudhër
Vaj
Kripë, piper, rigon
Djath kaçkavall të grirë

Përgatitja

Pastrojmë patëllxhanët, i lyejmë me vaj e kripë dhe i fusim në furrë.
Në një tenxhere, shtojmë vajin, qepën e grirë dhe e lëm në zjarr të avashët derisa qepa të fillojë të zverdhet. Shtojmë në këtë moment hudhrat e shtypura, domatet e qëruara dhe prerë në copa, kripe, rigon dhe piper dhe lëm në zjarr për 10 minuta.

Nxjerrim patëllaxhanët nga furra dhe me një pirun i hapim në mes për të krijuar vendin ku do hidhet ndërtesa më sipër.
Fusim në furrë, në 200 gradë në mes të furrës derisa domatja të ketë tharë lëngun e vet. Tava duhet të jetë gati për rreth 30 minuta. Fikni furrën dhe sipër saj hidhni djath kaçkavall të grirë. Unë nuk kisha në shtëpi kur përgatita këtë recetë, ndaj në foto nuk do shikoni djath :). Ju bëftë mirë.

Meqë gjeta në morinë e fotove në telefon, një nga herët kur i kam hedhur djath përsipër tavës, po e shtoj....upssss :)
 
SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig