Friday, October 14, 2016

Kek me karrotë dhe krem djathi



Keku me karrotë është i preferuari i djalit të vogël. Aromat e këtij keku të ndjellin festën e Krishtlindjes.
Ndërkohë që e ripostova këtë recetë kuptova sesa pak kisha shkruar për një nga ëmbëlsirat që bëhet më shpesh tek ne. Ky ka qenë postimi im i katërt, ndërsa mësoja sesi të përdorja blog-un. Ndaj dhe receta ishte shoqëruar me shumë pak tekst dhe foto shpjeguese.Me kekun me karrotë nuk do dështoni asnjëherë pasi ka përbërës të thjeshtë dhe pjekja del gjithmonë siç duhet. Nëse nuk ju ndodhen në shtepi rrush i thatë apo arra/bajame të grira për t'ja hedhur kekut brenda mos u shqetësoni, shija dhe aroma do jenë përsëri të mira. Ajo që nuk duhet të lini pa shtuar është lëkura e grirë e portokallit me shumicë (të paktën dy kokrra) ose nëse keni esencën me portokall që unë e kam gjithmonë gati në çdo stinë të vitit, do ishte kryevepër :). Sesi të përgatisni esencën e portokallit Bonbon, klikoni këtu http://bonbontaste.blogspot.al/2017/03/recel-portokalli.html
Më poshtë do gjeni mënyra të ndryshme të dekorimit të kekut. 

Përbërësit:
1 ¼ kupë me miell & një lugë gjelle
½ kupe sheqer i bardhë
¼ kupë sheqer i kuq
1 lugë çaji sodë buke
2 lugë çaji kanellë
½ lugë çaji kripë
¼ lugë çaji arrë moskat
¾ kupë vaj vegjetal
2 vezë
2 lugë gjellë lëkurë të grirë portokalli
2 kupa karrotë e grirë
½ kupë rrush I thatë dhe arra sipas dëshirës
vanilje

Për kremin:
1 pako krem djathi (Philadelphia cheese)
50 gr gjalp në temperaturë ambjenti
2-3 lugë gjelle sheqer pluhur
1 luge gjelle krem whiskey ose ujë
¼ lugë çaji kanellë


Pregatitja
Në një tas hedhim karrotën e grirë dhe rrushin e thatë dhe e përziejmë mirë me nje lugë miell. Kjo ndihmon që karrota e grirë dhe rrushi thatë mos të shkojnë në fund të kekut gjatë pjekjes. Në një tas tjetër me një mixer dore përziejme gjithë përbërësit e mbetur duke i hedhur pa ndonjë radhë specifike. Shtojmë më pas dhe karrotat me rrushin e thate dhe gjithë masën e hedhim në një tas ku kemi shtruar më parë një letër gatimi. E pjekim në mes të furrës në 180 gradë për 30 minuta ose derisa një “toothpick” i futur në mës të kekut, të dalë i pastër.
E lëme kekun të ftohet tërësisht dhe pregatisim kremin e djathit. Në një tas përziejmë me lug kremin e djathit, gjalpin në temperaturë ambjenti, dy luge sheqer pluhur, nje apo dy lugë gjelle uje ose krem whiskey (whiskey) që ndihmon në tretjen me të mirë të përbërësve dhe 1/4 lugë çaji kanellë. 
E lyejmë gjithë masën e kekut me këtë krem dhe sipër sipas dëshirës e zbukurojmë me arra të grira. E lëm sa kremi të forcohet pak përpara sesa ta servirim. Ju bëftë mirë :)








SHARE:

No comments

Post a Comment

Blogger Template Created by pipdig